Vetëvendosje: Policia e klanit “Pronto” arrestoi Naser Shatrin

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në orët e paradites së sotme, Policia ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naser Shatrin.

Vetëvendosje thekson se aktivisti Shatri, njëkohësisht ish-ushtar i UÇK-së, është arrestuar në lidhje me aksionin protestues të rrotullimit të veturave të EULEX-it, në vitin 2009, me të cilin Lëvizja Vetëvendosje paralajmëronte se ky mision ndërkombëtar nuk do të sillte drejtësi.

“Një gjë e cila u vërtetua më përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në korrupsion, për luftimin e të cilit edhe thirren”, thuhet në njoftim.

Sipas VV-së, klani “Pronto” në vazhdimësi është duke e përdorur Policinë si mjet për ta luftuar opozitën, teksa aferat e këtij klani sa vijnë e shtohen.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit Naser Shatri dhe kërkojmë që të pushojnë përndjekjet ndaj aktivistëve tanë. Ashtu siç u dëshmua se misioni i EULEX-it është i padrejtë e i korruptuar, po aq e qartë është nevoja për largimin e klanit ‘Pronto’ nga pushteti, këtij organizimi kriminal që po e shkatërron vendin”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Sipas VV-së, përpjekja e tyre për çlirimin e institucioneve, vendosjen e drejtësisë dhe Republikën e së drejtës nuk do të ndalet asnjëherë.

“Lufta jonë për drejtësi do të vazhdojë. Çlirimi i Kosovës nga klani ‘Pronto’ do të ndodhë”, thuhet në njoftim.

Temat
LajmeVend

Të afërta