Rusia mund të rihapë bazat në Kubë e Vietnam

Rusia po shqyrton plane për të ringritur bazat e saj ushtarake në Vietnam dhe Kubë, që shërbyen si lojtarë kyç gjatë Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovietik dhe Perëndimit...

Rusia po shqyrton plane për të ringritur bazat e saj ushtarake në Vietnam dhe Kubë, që shërbyen si lojtarë kyç gjatë Luftës së Ftohtë mes Bashkimit Sovietik dhe Perëndimit
Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë ruse, të cilat citojnë zv.ministrin e Mbrojtjes. “Ne po e trajtojmë këtë çështje”, ka deklaruar Nikolai Pankov në Parlament. Rusia mbylli bazën e saj të inteligjencës në Lurdes të Kubës dhe bazën detare në Kam Rahn në Vietnam në fillim të viteve 2000, në kuadër të planit të tërheqjes së pranisë së saj ushtarake nëpër botë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik.

Por që atëherë politika e jashtme e Moskës është bërë më agresive, duke çuar në krijimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, mes të tjerash për konfliktet në Ukrainë dhe Siri, si dhe për praninë e trupave të NATO-s në lindje të Europës.

Pankov deklaroi se Ministria e Mbrojtjes po rishikon vendimet e kaluara që çuan në mbylljen e dy bazave, por refuzoi të jepte detaje. Ministri i Jashtëm i Vitenamit refuzoi të bënte një koment për këtë kur u pyet, ndërsa zyrtarët kubanezë nuk ishin të gatshëm për mediat, raporton “Huffington Post”.

Aktualisht Shtetet e Bashkuara janë në procesin e ripërtëritjes së marrëdhënieve me Kubën, që në kohët sovietike i ofroi Moskës si bazë territorin e saj më të afërt me Amerikën, 100 milje nga ishujt e Floridës.

“Situata globale nuk është e qëndrueshme, është kaotike dhe në dy vitet e fundit janë shënuar ndryshime domethënëse në çështjet e politikës ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për shtyp.

“Për këtë arsye është mëse e natyrshme që të gjitha vendet t’u përgjigjen këtyre ndryshimeve në të njëjtën linjë me interesat e tyre kombëtare dhe të marrin hapa të caktuar, që ata i konsiderojnë të duhur”, vijoi Peskov./ Top Channel

Temat
BotëLajme

Të afërta

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com