Politikanët holandezë Hoxhajt: Kur t’i plotësoni kushtet do t’ju mbështesim për vizat

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Holandë, ka shprehur se mesazhi i Holandës ishte i qartë: plotësoni kushtet dhe do ju mbështesim plotësisht për liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Express.

“Në takimin që kisha me Komisionin për Punë të Jashtme pranë Parlamentit të Holandës, dhe me Ministrin për Çështje të Migracionit, diskutuam për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Mund të them që nga pala holandeze ka një mbështetje të plotë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në atë moment kur do të plotësohen edhe kushtet e fundit që kanë mbetur të përmbushen” ka thënë Hoxhaj

Hoxhaj është takuar me deputetë të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, me të cilët ka diskutuar kryesisht për çështjen e liberalizimit të vizave dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

Në takimin me Kryesuesin, Theo van Toor, Hoxhaj i ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejt për vizat, një vendimmarrje e rëndësishme që do të ndodhë javët e ardhshme në Bruksel.

Temat
LajmeVend

Të afërta