Flet polici që shpëtoi fëmijën dhe përloti kalimtarët (Video)

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës fitoi zemrat e kalimtarëve të rastit të mërkurën pasdite në qendër të Prishtinës, kur shpëtoi një fëmijë nga më e keqja.

Fëmija ka mundur të pësojë nga pakujdesia e prindit i cili e solli atë në shkollë në ndërrimin e pasdites. Ai doli nga vetura e prindit pa përcjellje

Polici Berisha foli për KALLXO.com për ngjarjen e cila e bëri hero të ditës, duke marrë komente pozitive nga ata që e panë dhe nga përdoruesit e rrjeteve sociale.

“Rreth orës 13:00, deri sa unë isha duke rregulluar komunikacionin më saktë te shkolla Faik Konica, një veturë ndalet në shiritin ku edhe gjendet vendkalimi, nga aty doli një fëmijë. Fëmija duke kaluar në shiritin tjetër hasi një veturë me shpejtësi të madhe në drejtim të semaforëve. Nga aty e kam kapur fëmijën dhe kam arritur ta shpëtoj”, rrëfen Berisha.

Një ditë pune e Ferid Berishës është shumë e zakonshme. Fillon dhe përfundon me patrullime në trafik.

Prandaj, përveç shqiptimit të gjobave në trafik, atij i ka ndodhur edhe më parë të shpëtojë këmbësorët nga vozitësit e pakujdesshëm.

Një rast pothuaj i ngjashëm me atë të së mërkurës atij i kishte ndodhur edhe vitin e kaluar kur kishte shpëtuar një fëmijë duke e rrezikuar jetën e vet.

Për rastin e djeshëm, ai thotë se prindërit nuk dinë gjë për incidentin.

“Prindi i tij vetëm ka ndaluar fëmijën aty dhe ka ecur, ai nuk di asnjë gjë lidhur me këtë rast”, thotë polici.

Më tutje tregoi se si reaguan kalimtarët të cilën e panë këtë ngjarje.

“Disa i kam parë duke qajtë e disa duke duartrokitur, disa duke më falënderuar për shpëtimin e një jete”, tha ai.

Ai tregoi se rruga gjatë në këtë pjesë të kryeqyteti është e rrezikshme ndërsa apelon që prindërit të marrin masa më shumë lidhur me këtë rast.

Policia në raste të tilla, shpërblen zyrtarët policorë me mirënjohje dhe medalje në ngjarje solemne të policisë.

Dita e punës së tij dje ka nisur me një takim me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Shpend Maxhuni, nga i cili thotë se ka marrë falënderime për aktin e guximshëm.

Më pas, është nisur drejt Shkodrës, në detyrë për të ofruar siguri për ndeshjen që Kosova e zhvilloi kundër Kroacisë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2016”.

Temat
LajmeVend

Të afërta