Komuna e Prishtinës shkel kriteret e MASHT’it për zgjedhjen e drejtorit në shkollën “Faik Konica” (Dokument)

Tetë vite detyrë, nëntë certifikata, trajnime të menaxhimit dhe udhëheqjes, e shumë vlerësime për vite të tëra pune, u vlerësuan me 80.3 pikë për Kumrije Sahitin në konkursin për drejtor të shkollës Faik Konica nga Komisioni Përzgjedhës i përcaktuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës. Më 1.7 pikë më shumë (82) i njëjti komision vlerësoi dhe zgjodhi drejtoreshë të kësaj shkolle Gjylije Balën, profesoreshë e Gjuhës Shqipe në “Faik Konicë”, pa përvojë në udhëheqje dhe të pacertifikuar për menaxhim, ndonëse këto janë kushte që i vë Ministria e Arsimit në Udhëzimin e saj Administrativ. Shkelja e këtij neni të udhëzuesit lë shumë hapësirë për dyshime se në rastin e zgjedhjes së Balajt u përgatit paraprakisht terreni nga Komuna e Prishtinës, në mënyrë që ajo ta fitojë vendin e punës. Këto shkelje i konfirmon kryetari i Komisionit që e përzgjodhi atë, Rinor Qehaja, por i arsyeton ato. Komuna e Prishtinës, as këtë herë, nuk flet për Gazetën Express.
Për 8 vite u dallua si drejtoreshë dhe menaxhere e mirë e shkollës fillore “Faik Konica”, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës. Por, pas kaq vitesh Kumrije Sahiti duhet ta lë këtë detyrë. Ajo nuk u përzgjodh për një mandat të ri si drejtoreshë e kësaj shkolle, në konkursin e fundit që u shpall qysh në prill të këtij viti, për t’u anuluar pas dy muajsh dhe për t’u rishpallur sërish në qershor.

Sahiti ka shumë dyshime dhe evidenton disa parregullsi në krejt procesin e përzgjedhjes së drejtueses së re të kësaj shkolle. Është e sigurt se iu bë e padrejtë, duke lënë dyshime se krejt kjo ka mundur t’i ndodhë për arsyeje se ajo nuk i takon Lëvizjes Vetëvendosje, që drejton Komunën e Prishtinës.

Kumrije Sahiti tregon se ka javë që po i kërkon takim Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, për të marrë shpjegimin se pse njerëzit e tij po e largojnë nga detyra, për ta zëvendësuar me dikë që nuk i plotëson kriteret në krahasim me të.

“Tre javë ka që po kërkoj me e taku kryetarin Shpend Ahmeti. Disa herë më kanë thanë që të takon këtë ditë, jo këtë ditë. Po hala s’ka pranu mem taku”, tregoi ajo të enjten për Gazetën Express.

Jo vetëm Shpend Ahmeti nuk tregohet korrekt me ish-drejtoreshën e shkollës “Faik Konica”. Atë po e shpërfill edhe drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës dhe drejtuesja e këtij dikasteri Arbërie Nagavci.

Kumrije Sahiti tregon se që kur pa se nuk është përzgjedhur për drejtoreshë e shkollës ajo vazhdimisht ka kërkuar nga drejtuesit e Arsimit në kryeqytet që t’i sqarojnë dhe t’i jepet vendimi dhe arsyetimi se pse asaj nuk iu vazhdua mandati, derisa është e sigurt se krahasuar me dy kandidatët e tjerë, ajo i plotësonte bindshëm kushtet.

“Jam tu pritë qysh kur janë publiku rezultatet e konkursit me e marrë ni vendim dhe arsyetim zyrtarë se pse s’jam pranu në punë, por nuk kam asnjë përgjigje nga Drejtoria e Arsimit të Prishtinës”, thotë ajo.

Por, vartësja e Shpend Ahmetit për Arsim, Arbërie Nagavci ka komunikuar me Sahitin përmes mesazheve, tregon kjo e fundit.

Sipas Sahitit, Nagavci në një komunikim përmes mesazheve telefonike i kishte thënë se ka biseduar me kryetarin Ahmeti për rastin e saj, dhe i ka thënë se ata nuk e kontestojnë performansën e saj si drejtoreshë e shkollës “Faik Konica”, megjithatë i kërkojnë Sahitit që ta respektojë vendimin e komisionit përzgjedhës të drejtorëve.

Tutje, në komunikimet që ka parë Gazeta Express, Kumrije Sahiti vazhdon të insistojë për vendim dhe arsyetim zyrtarë për të, para se ta lirojë detyrën. Edhe Gazeta Express ka hulumtuar konkursin në fjalë dhe ka evidentuar disa shkelje të Udhëzimeve Administrative të përcaktuara nga Ministria e Arsimit e Kosovës, të cilat mbështesin pohimet e Sahitit për shkelje në procedurat e shpalljes së konkursit dhe deri tek përzgjedhja e kandidatit për drejtor në shkollën që ajo drejtonte dhe shkolla të tjera të kryeqytetit.

Konkursi për drejtor të shkollës “Faik Konica” ishte shpallur në gjysmën e prillit të këtij viti nga Komuna e Prishtinës, për t’u anuluar pas dy muajsh. Më pas, për të njëjtën pozitë është rihapur konkursi më 28 qershor 2016 deri më 12 korrik të të njëjtit vit. Pas kësaj, rezultatet e konkursit janë shpallur më 13 shtator 2016, që përkthyer në ditë i bie 63 sosh, pas mbylljes së konkursit. Rrjedhimisht, është shkelje e një neni të Udhëzimit Administrativ të MASHT’it numër 08/2014 që përcakton “Procedurat dhe Kriteret e Zgjedhjes së Drejtorit dhe zv./drejtorit të institucionit edukativo-arsimor dhe aftësues”.

“Informimi i kandidatëve për rezultatet e konkursit të shpallur bëhet më së voni 45 ditë pas mbylljes së konkursit të shpallur”, thotë neni 2.6 i këtij udhëzimi, ndërsa në piken e 7 te të njëjtit nen referon se “Nëse brenda 45 ditëve nuk bëhet zgjedhja e drejtorit/zëvendësdrejtorit, atëherë DKA rishpall konkurs të ri”.

udhzadm2_1475769438-1023226

45 ditë nga shpallja e konkursit, me një llogaritje të thjeshtë, kuptohet se janë mbushur më 26 gusht, ndërsa njoftimi për përzgjedhjen e kandidatit të ri nga Komuna e Prishtinës u dha 18 ditë me vonesë.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci për t’i sqaruar këto shkelje, por ajo nuk është përgjigjur në disa thirrje të gazetës. Komuna e Prishtinës vazhdimisht ka qasje refuzuese ndaj Gazetës Express me vendim të shefave të partisë, së cilës i takojnë udhëheqësit e kryeqytetit. Por, se ka shkelje të udhëzimit administrativ të MASHT’it në konkursin në fjalë ka lënë të kuptohet edhe vetë kryetari i komisionit përzgjedhës për zgjedhjen e Drejtorëve dhe Zëvendësdrejtorëve në disa shkolla në Komunën e Prishtinës, Rinor Qehaja. Megjithëse, thotë se ai nuk është në pozitë të interpretojë nene të këtij udhëzuesi.

Ai duke folur për Gazetën Express pranon se rezultatet e konkursit u shpallën 18 ditë më vonë sesa e parasheh MASHT’ti përmes një udhëzuesi administrativ, por thotë se komisioni e kreu punën qysh ditën kur u intervistuan kandidatët dhe se vonesat u shkaktuan nga Komuna e Prishtinës, për shkak të procedurave të tjera deri te protokollimi e hedhja e nënshkrimit nga kryetari Ahmeti.

“Po po, ajo është evidente. Ky afat është kalu. Teknikisht është dashtë me u rishpallë, por çka kom ndegju unë ajo është vonu tu u protokolu. Por a ka shkelje naj jurist mundet me e shpjegu ma mirë. Ligjërisht është dashtë brenda qatij afati”, i tha Qehaja Gazetës Express.

Ai pranoi se i njëjti udhëzim administrativ mund të jetë shkelur edhe në shpalljen e konkursit, ku Komuna e Prishtinës u ka lejuar kandidatëve që konkurrojnë për drejtor shkollash të aplikojnë edhe nëse nuk kanë përfunduar me sukses ndonjë program të akredituar profesional për udhëheqje administrim ose menaxhim.

kushtet-konkursi_1475769637-5022552

Konkursi ua jep mundësi kandidatëve që një program të tillë ta kryejnë gjatë periudhës prej kur ata aplikojnë për drejtor deri para emërimit të tyre. Një kriter i vendosur nga Komuna e Prishtinës, që le shumë dyshime se mund të jetë lehtësuar për t’u dhënë mundësi dhe krijuar terren disa kandidatëve që ata mund t’i kenë favorizuar për drejtorë shkollash, por s’e kanë plotësuar ende këtë kusht.

Të kundërtën e këtij kriteri e thotë neni 3, pika dy e udhëzimit administrativ të MASHT’it për përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të arsimimit para-universitar për “Kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët për të marrë pjesë në konkurs”.

“[Kandidatët]] Të kenë përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim ose menaxhim”, thuhet në këtë nen.

udhadm_1475769406-1400165

Vetë kryetari i komisionit përzgjedhës të drejtorëve, Rinor Qehaja thonë se këtë kriter s’e ka plotësuar e përzgjedhura e komisionit të tyre Gjylije Bala. Ai e arsyeton vendimin e tyre ndesh me Udhëzuesin Administrativ të MASHT’it duke thënë se u bazuan në konkursin që jepte mundësinë e zgjedhjes së një kandidati edhe pa këtë kualifikim, që nxjerr Komuna e Prishtinës.

“Kjo kandidatja nuk e ka certifikimin, por u dufte me e pru atë deri kur u emru prej kryetarit”, thotë Qehaja.

“Kur i këqyr veç udhëzimet administrative, ligjërisht e sheh që nuk është në rregull. Por derisa është leju shpallja e konkursit nga Këshilli i pavarur mbikëqyrës me këtë kriter atëherë nuk besoi se edhe e refuzojnë këtë”, pranon ai shkeljen e nenit 3.2. të Udhëzuesit administrativ të MASHT numër 08/2014, duke e arsyetuar më pas vendimin e komunës.

“Dej qetash nuk kanë pas mundësi me ba krejtë këtë certifikim. Kjo padrejtësisht i ka perjashtu kta që kanë dashtë me kandidu për drejtor. Por me eleminu këtë padrejtësi, këta të komunës kanë leju me apliku pa qetë certifikim, por që kur të emrohen u dufte me sjellë certifikimin”, arsyeton ai në cilësinë e ekspertit të arsimit. /GazetaExpress/.

rrez1_1475769677-2423499

rrez2_1475769691-1795968

Temat
LajmeVend

Të afërta