66% e kosovarëve të pakënaqur me zhvillimet politike dhe ekonomike në vend

Qytetarët janë shumë pak të informuar rreth Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Kosovën. Deklarohen se vetëm tre për qind e tyre kanë njohuri rreth MSA-së.

Ndërsa qytetarët të cilët janë të pakënaqur me situatën politike dhe ekonomike në vend, nuk besojnë në implementimin e kësaj marrëveshje.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ku u prezantuan rezultatet e hulumtimit “Njohja e MSA së nga qytetarët dhe perceptimet e tyre”.

Hulumtimi tregon se shqetësimet e qytetarëve në Kosovë, më së shumti kanë të bëjnë me zhvillimin e dobët ekonomik dhe papunësinë e lartë.

Nga këto rezultate del se 66 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik në të cilin po shkon Kosova. Qytetarët janë deklaruar se Kosova nuk është e gatshme ekonomikisht ta implementojë MSA-në.

Po ashtu, 60 për qind e qytetarëve janë shprehur të pakënaqur me politikën e Kosovës.

Përndryshe, nga ky hulumtim del se qytetarët e Kosovës janë pro-evropian dhe mendojnë që Kosova duhet të anëtarësohet sa më shpejtë në BE.

Temat
LajmeVend

Të afërta