Reperët mohojnë gjithçka, thonë se u provokuan nga grupi i Noizyt

Reperi i “Babastars”, Visar Shala i njohur si Skivi, ka mohuar të ketë thirrur për ndihmë shokun dhe kolegun e tij, Ylber Abdullahu, i njohur si Cozman sa ishte të martën i pranishëm në hotelin “Swiss Diamond”, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithëse, ka thënë se ishte provokuar dhe sharë nga grupi i reperëve OTR, para policëve hetues, Skivi ka deklaruar se nuk ka pasur nevojë për kurrfarë ndihme, pasi që u kishte kërkuar siguri drejtuesve të hotelit. Ndryshe prej tij, Cozman ka deklaruar se bashkë me shokun e tij, Albert Krasniqi, kanë shkuar te hoteli pikërisht për t`i dalë në ndihmë Skivit.

Të dy reperët janë marrë në pyetje nga policia pas përleshjes që ndodhi të martën me grupin OTR, me ç`rast mbeten të plagosur reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin Noizy, si dhe Denis Hajri, i njohur me emrin “Varrosi”.

Pas kësaj ngjarjeje janë arrestuar nga policia e Kosovës reperi Cozman, vëllai i tij, Ymer Abdullahu, si dhe tre persona të tjerë: Elvis Preni, Albert Krasniqi e Valdet Krasniqi. Policia ka njoftuar të mërkurën se “me urdhër të prokurorit, dy nga të dyshuarit, shqiptarë të Kosovës, janë dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuarit e tjerë, njëri shtetas i Kosovës dhe tjetri i Shqipërisë, janë liruar në procedurë të rregullt”.

Në deklaratat e dhëna në polici, të cilat i ka siguruar “Koha Ditore”, dy grupet kanë dhënë versione krejtësisht të ndryshme. Ia kanë hedhur fajin njëri-tjetrit për provokim.

Temat
Showbiz

Të afërta