Kosova s’ka nevojë për komb të ri, por, për një shtet të ri gjithëshqiptar në Ballkan

Shkruan: Fadil Maloku, sociolog i Globalizmit

1. Kohëve të fundit ka marr përmasa goxha alarmuese debati rreth identitetit kombëtar dhe atij shtetërorë të Kosovës. Ajo që mund të hetohet është se ende nuk është bërë ndonjë analizë e thukët shkencore nga perspektiva apo nga këndvështrimi sociologjik, që e konsiderojë lëmin më kompetente lidhur me këtë problematikë sa të rëndësishme aq edhe të rrezikshme në kohën kur shoqëria Kosovare është duke u ballafaquar me katrahurën e definimit të sajë si shtet normal dhe demokratik i shek. XXI. Për këtë arsye do mundohem të shkoqisë pikat kyçe të këtij debati.

Para se të hyjmë në këtë problem, më duhet të sugjerojë se nuk e kam ndërmend të nisem nga paradigma e njohur popullore, se: nëse një budalla e hedhë një gur në bunar, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin atë, por nga nevoja dhe domosdoshmëri e shpjegimit të dioptrisë shkencore sociologjike që asnjëherë nuk i është bërë atij gjerë tani në Kosovë.

Me fjalë tjera etnicitetet, grupet etnike dhe identitetet etnike (si në nivele organizativ si sub-bashkësi ashtu edhe në nivele të identitetit kolektiv si sub-etni) kanë një aftësi çuditshme si të themi të mbijetesës dhe të transformimit edhe në kohërat e sodit. Shembull më të mirë për këtë proces se Amerikën sot për sot nuk kemi. Kur të shikojmë procesin e zhvillimit të shqiptarëve të Kosovës në këto njëqind vitet e fundit (pra pas aneksimit që i bëhet nga ana e Serbisë në vitin 1912), si identitet i ndarë ku rrebeshi i ndikimeve dhe ndërvarësisë ishte evident gjatë tërë kësaj periudhe, kuptojmë që ky proces i ndikimit (më shumë!) dhe i marrjes (më pak!) është në të vërtetë pak a shumë dashtë e pa dashtë ne tani një proces i një natyre me pretendime dalluese. Por jo edhe aq sa tani (nëse i adresohemi botëkuptimit të sotëm perëndimor mbi kombin) të fillojmë procesin e promovimit të kombeve të reja (!?), ashtu siç po trumbeton dikush për interesa të pa identifikuara akoma.

Në anën tjetër, meqë po i adresohemi dioptrisë shkencore sociologjike lidhur me këtë problematikë shtrohen disa pyetje kujtojë shumë të rëndësishme lidhur me këtë proces të dhënie marrjes shekullore, pastaj diskursin e ushtrimit të ndërvarësisë si edhe procesin e amalgimit kulturor? Përgjigja në të gjitha këto pyetje është një JO e madhe?!

Po ashtu, duhet vënë edhe një distingsion shkencor në mes asaj që shquhet si etni dhe asaj që shquhet si komb, në mënyrë që të mos krijojmë stereotipin e paqenë për njërin apo tjetrin koncept sot. Duke u nisur kështu nga këto paradispozitat elementare shkencore sociologjike ne më lehtë e kemi diagnostifikimin e identitetit dhe paradigmave rreth tij, që sot djallëzisht keq përdorën nga jokompetentët për qëllime personale, grupore e klanore. Është e ditur që njerëzit janë krijuar prej një burri dhe një gruaje dhe ndarjet në fise dhe popuj janë rezultat i parallogarive të ndasisë në njerëz të devotshëm dhe këqij.

Çka thotë Weberi?

2. Maks Weber, që konsistohet njëherë për një herë sociologu i parë që ka arritur të jap shpjegime tipike sociologjike lidhur me marrëdhëniet e bashkësive etnike, në veprën e tij të njohur Ekonomia dhe Shoqëria, diagnostifikon tri entitete kryesore (racën, etninë dhe kombin) që lozin rol të theksuar në procesin e ndërtimit të procesit të identitetit. Për Weberin, elementi kryesor që entitetin e racës e dallon nga ai i etnisë është se raca është në një farë mënyre si tërësi historike bazamentin e sajë e gjurmon kryesisht nga prejardhja apo etimologjia e vetvetes kolektive, gjersa etnia këtë e bënë në bazë të perspektivës së vetë subjektive. Sa i përket kombit, Weber mendon që edhe kjo kategori sociologjike sikurse etnia është e bazuar kryesisht në të besuarit e jetës së përbashkët, por me një dallim elokuent që kombi si pasion të mvetësuar ka të ngulitur kërkesën për fuqi politike. Është e vërtetë që sot përpjekjet për tu pajtuar vetëm me një definicion për kombin është absurd i llojit të vetë!

Aq më tepër që me definicione të teorisë marksiste e sidomos të asaj Staliniste të përkufizohen dhe të shpjegohen proceset aktuale moderniste lidhur me këtë kategori tejet dinamike dhe pak a shumë të postuar në plan të dytë në rrethanat e ndërtimit të një rendi të ri botëror, apo të një procesi që po identifikohet si proces i globalizimit.

Pra, tentimi që të mbrohet vetëm shpjegimi politik mbi kombin qoftë edhe ai sociologjik që sot njihet si më kompetenti, në një farë mënyre është e pamjaftueshëm në sorollatjen që disa intelektual Kosovar bëjnë përpjekje për të gjetur formula të reja lidhur me procesin e gjoja formimit të kombit të ri kosovar në kushtet dhe rrethanat e një procesi të kundërt që është duke ndodhur në këtë shekull në botë. Ai proces është procesi i globalizimit, që në këtë rast nuk është objekt i studimit tonë.

Duke iu adresuar këtij procesi të ri që për synim objektiv ka margjinalizimin e identiteteve kombëtare (sidomos të atyre që kanë probleme dhe dilema rreth historikut të tyre) si identitete (të dëshmuara gjerë tani) më të zhdërvjellëta për të mbijetuar ndjenja e solidaritetit kolektiv, kujtojmë që ideja e formimit të identitetit kombëtar të Kosovës apo cilit do identitet te ri sot kombëtar tjetër është në kundërshtim të procesit të idesë së universalizmit. Por, jo idesë së universalizmit që ka pretendim të unifikojë të gjitha kombet dhe shtetet në një identitet dhe shtet të vetëm, ashtu siç mendojnë edhe disa teoricien të sotëm (Imanuel Wallerstein, psh), por të universalizmit të vlerave (kuptohet është fjala për ato perëndimore) për të gjitha kulturat dhe civilizimet e sotme në botë.

Çka thotë Enciklopedia Amerikane?

3. Në literaturën perëndimore (edhe më saktësisht atë amerikane në Enciklopedinë Amerikane të Grupeve Etnike) shprehja etni (We are all ethnic) ka pushuar së identifikuari statusit i të huajit dhe sot ai ka të bëjë me të gjitha grupet etnike që atje jetojnë, pa kurrfarë dallimi as të racës, as të gjinisë, as të përkatësisë fetare e aq më pak të asaj kombëtare. Në literaturën lindore, ky koncept paragjykohet dhe herë-herë merr edhe konotime të një stereotipi djallëzor që bëhet pengesë serioze për procesin e integrimit rajonal dhe atij global.

Dobësia e shkencave të sotme shoqërore, duke përfshi këtu edhe sociologjinë qëndron në faktin se nuk ka ende ndonjë pajtim apo konsensus të përbashkët rreth kritereve për të definuar specifikat normuese dhe dalluese të identitetit etnik nga kategoritë tjera të identiteti kolektiv (atij fetar, politik, familjar, klasor,etj.) në mënyrë që të arrihet edhe definimi i kombit si identitet i ri.

Në këtë drejtim edhe për një kohë të gjatë në shekullin tonë do të fuqizohet edhe më tej identiteti dhe përkatësia etnike e njerëzve, pa marr parasysh trendin e frymës së re globalizuese. Sepse, përse shtrohet pyetja bie fjala njerëzit më me ëndje japin përgjigje të këtij tipi: kur isha ateist (tash po ndjehem si besimtarë), kur isha fshatar (tash po ndjehem si qytetar), kur isha komunist (tash po ndjehem si humanist) apo kur isha nacionalist (tash po ndjehem si kozmopolit), kur isha punëtorë krahu (tash po ndjehem si zotëri), kur isha ministër (tash po ndjehem si i pafuqishëm), etj., se sa të tipit psh. derisa isha shqiptar (tash po ndjehem si kosovar), derisa isha serb (tash po ndjehem si kroat), derisa isha kroat (tash po ndjehem si boshnjak), derisa isha rom (tash po ndjehem si shqiptar), etj.?! Për arsye se identiteti etnik nuk është diçka që kavërdiset shpejt dhe lehtë, por është një proces qindravjeçar që vazhdon të mbijetojë akoma me paradigmën e së kaluarës të tanishmes dhe të ardhmes së përbashkët, për të cilën askund dhe asnjëherë nuk është pyetur askush.

Identiteti shtetëror Kosovar nuk prodhon identik të ri kombëtar

4. Shikuar me një dioptri të kësi sojit diskursin e dinamikës së përkatësisë etnike dhe asaj kombëtare, gjykojë që shqiptarët e Kosovës do të duhej të insistonin në ndërtimin e një shoqërie me identitet kombëtar qytetar, por nëse aludimi është që Kosova në këtë fazë të emancipimit të vetë duhet të ndërtojë veçantinë e sajë: politike, ekonomike, e shtetërore (por jo edhe etnike dhe kombëtare), atëherë duhet të fuqizojë identitetin e sajë shtetërore, i cili si domosdoshmëri të vetën do të avancojë vetë vetiu edhe identitetin kombëtar.

Është marrëzi dhe naivitet jo vetëm shkencor, por para së gjithash edhe intelektual e sidomos politik, të absolutizosh nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit kosovar, kur të kihet parasysh që ky proces nuk është as dëshirë e as urdhëresë që bëhet për qejfe dhe inate të dikujt!? Arsyet janë të shumta, por ne po përmendim njërin i cili për kushtet dhe rrethanat nëpër të cilin po kalojnë pothuajse të gjitha shoqëritë e sotme, është tejet i rëndësishëm e që është identifikuar si tendencë e unifikimit të vlerave, apo proces i globalizimit me primesh planetare.

A dallon etnia nga kombi?

5. Shikuar me dioptrinë sociologjike koncepti i kombit në Ballkan është ende një kategori shoqërore që identifikohet më së shumti me shtetin dhe kompetencat e tij. Të provosh të bësh një dallim në mes këtyre dy koncepteve apo kategorive sociologjike, nuk është edhe gjithaq lehtë edhe për shkak se ne mes këtyre dy kategorive në rrethanat e një si të themi vonese historike të realizimit të synimeve për identitet shtetëror (siç është rasti i Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës, etj) nuk ekziston ndonjë vijë demarkacioni dalluese. Thënë më thjesht, një grup etnik që pak a shumë bëhet i vetëdijshëm për vetë vetën e vetë nuk është e thënë të përkufizohet si komb. Në anën tjetër, të shumtën e rasteve është e kuptueshme që prejardhja apo etimologjia e kombeve pason pas konstelacionit etnik apo etnisë.

Zakonisht sot në shkencën e sociologjisë bashkëkohore identifikohen disa elemente që e fuqizojnë diskursin e etnisë: emërimi i përbashkët i esencës së bashkësisë: miti mbi prejardhjen e rrënjës së përbashkët : kujtesa e përbashkët për të kaluarën e njohur dhe rinjohur përmes heronjve dhe ngjarjeve historike: shumësia e elementeve kulturore (duke përfshirë këtu:gjuhën, religjionin, traditën,etnopsikologjinë, etj.): lidhja emocionale dhe simbolike me rrënjën: dhe: ndjenja e solidaritetit (Dirkemian) organik.

Etnia apo etniciteti, me sa mund të kuptohet me gjuhën e argumenteve sociologjike mund të përkufizohet si grupim shoqërorë që ka të përbashkët ndjenjën e prejardhjes gjenetike, atë të mbamendjes historike, ndërlidhjes kulturore dhe sidomos ndjenjës së solidaritetit të përbashkët në rast të ndonjë kërcënimi shfarosës. Pra, etnia asocion apo është në koherencë me gjendjen parashtetërore apo parafirmuese sui generis, që kultivon disa karakteristika të përbashkëta siç janë ato: të gjuhës, kulturës, traditës, religjionit.

Është e ditur shkencërisht se identiteti kombëtar sikurse edhe ai politik i një kombi shpeshherë ngatërrohen me ndjenjën e patriotizmit, për çka edhe shpeshherë vihet në dilemë i tërë procesi i formimit të identitetit shtet-komb. Në esencë, patriotizmi dhe identiteti kombëtar dallohen mes veti aq sa ne dëshirojmë. Identiteti kombëtar, në një mënyrë është një pikëpamje vetanake e një kombi mbi vetveten, pra krijimit dhe kreativitetit të një botëkuptimi dhe imazhi të secilit prej nesh për vetë vetën tonë. Identiteti kombëtar, është e natyrshme që nuk është diçka i dhënën një herë e përgjithmonë në historikun e qenësimit të një kombi. Ai në të vërtetë është një zgjedhje, ku secili komb në historinë e vete ka apo disponon me njerëz, ngjarje, etj., që paraqesin një spektër të tërë të qëndrimeve politike, botëkuptimeve dhe bindjeve politike, momente të këndshme dhe të pakëndshme, duke filluar nga ato intelektuale, shoviniste, fashiste, ideologjike, nacionaliste, etj.

Po ashtu, secila periudhë kohore me tërë trashëgiminë e vetë të shumëllojtë, në një farë mënyrë zgjedhë njerëzit (aktorët historik) dhe ngjarjet mbi të cilët ndërtohet një identitet i caktuar (sot psh. tendencat që identiteti kombëtar të ndërlidhet dhe ndërtohet me kohën dhe emrin e Skënderbeut?!) janë sa e pakuptueshme aq edhe naive në ditët e sotme.

Çka na mëson historia kombëtare shqiptare?

6. Po qese i adresohemi historisë sonë më të re kombëtare shqiptare hetojmë që procesi i formimit të botëkuptimit mbi identitetin shqiptar është mbarësuar më së voni nga gjithë popujt e Ballkanit. Shkaku dihet, ai i adresohet historisë dhe rrethanave në të cilat u gjend ai në kohën e pushtimit otoman.

Shikuar nga kjo perspektivë, kuptojmë edhe arsyet e kësaj vonese të (pa)arsyeshme dhe se interes i vetëm kombëtar i tanishëm i Kosovës është identiteti evropian të cilin ne duhet ta ndërtojmë me xhelozinë shumë më të madhe se gjerë tani.

Për ta ilustruar rëndësinë e rolit të identitetit të ri qytetar (evropian) Kosovar të shërbehemi me një studim të botuar së voni në The New York Times, mbi jetën intime (inner life) amerikane. Anketues, ishin amerikan të përkatësive të ndryshme etnike e racore, por me nënshtetësi amerikane, të cilëve u janë parashtruar shumë pyetje lidhur me jetën e tyre private për: spiritualitetin, identitetin, seksualitetin, etj. Mes tjerash ata janë pyetur: A pajtoheni me qëndrimin…. Fakti që jam amerikan (being an American) dëshmon më së miri se kush jam.

Nga të gjithë të anketuarit, 91% prej tyre janë deklaruar se akordohen me konstatimin e lartshënuar, që dëshmon një fakt që qytetari i sotëm amerikan e çmon lartë identitetin e tij të qenit pjesëtarë i kombit amerikan… Mendojë që edhe qytetari i Kosovës mund të ketë ndonjë dilemë të kësaj natyre, nesër për identitetin (evropian) Kosovar?! Për këtë shkak gjykojë që Kosova s’ka nevojë për komb të ri, por gjithë shqiptarët kanë nevojë për një shtet të ri…

(Autori është Sociolog i Globalizmit dhe anëtar i shoqatës së sociologëve botërorë:

www.sociologistswithoutborders.com)

Temat
Opinione

Të afërta