Këndvështrim personal për librin “Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari” të autorit Sabri Maxhuni-Novosella

Këndvështrim personal për librin “Karl Topia, Hasan Prishtina, Adem Jashari” të autorit Sabri Maxhuni-Novosella
Guximi intelektual një ditë do të shpërblehet
​Sabri Maxhuni-Novosella e ka guximin për t’i shprehur hapur ato që mendon, tek e fundit ky është guxim që manifeston një intelektual, që shpreh publikisht gjërat që mendon, pavarësisht paragjykimeve apo sulmeve verbale që mund të bëjnë të tjerët. Njeriu duhet të jetë vetvetja në qëndrime dhe të ketë guximin intelektual që të ballafaqohet me kritikën duke ofruar argumentet e veta.

Autori i librit e ka parasysh faktin se do të hasë edhe në qëndrime që nuk përkojnë me pikëpamjet e tij që ka në kuadër të kontestit historiko-politik tek shqiptarët, por ai e merr përsipër barrën e rëndë të ballafaqimit duke ofruar argumente me çdo kë i cili synon që ta hedh poshtë atë që ai ofron. Ai i bën sfidë interpretuesve të shumtë të historisë, sidomos historisë pseudonacional-komuniste të promovuar në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët historinë nuk e trajtonin si shkencë, por si instrument të politikës ditore duke ja përshtatur interesave të tyre ideologjike. Autori shpreh guximin që historia duhet të trajtohet objektivisht duke qenë të liruar nga dogmat ideologjike komuniste, kuptohet pa ndryshim të saj, por duke qenë besnik ta parimit që të thuhet dhe të shkruhet vetëm e vërteta. Konsideroj që ky është edhe synimi i tij që ka në këtë rast si autor libri.

​Sot ka një presion të fuqishëm nga një pjesë e madhe e opinionit shqiptar, kundër çdo individi, që merr guximin të adresojë ndonjë kritikë përmbajtësore në kontestin historik rreth ngjarjeve, sidomos të karakterit politik, madje duke drejtuar edhe kritika me vend ndaj disa figurave historike për disa veprime të pamatura politike që ata kanë vepruar dikur. Kjo siç duket nuk e brengos shumë autorin Novosella, pasi ai është i vendosur që ta çojë deri në fund mendimin e tij të artikuluar që ka, pavarësisht reagimeve emocionale që mund të ketë. Në këtë rast duhet vlerësuar tek lexuesi guximin jo për të kundërshtuar autorin, por guximin për t’u ballafaquar me argumentet që ai prezanton. Në instancë të fundit, historia nuk duhet të shfrytëzohet si mjet për qëllime të caktuara politike apo ideologjike, por duhet të shfrytëzohet për t’u zbardhur e vërteta historike.

​Në fokus të librit janë tri figura të rëndësishme historike, që kanë një lidhje të veçantë, të pashmangshme me historinë e popullit shqiptar ndër shekuj. Këto figura kanë një gjë të përbashkët, orientimin dhe krijimin e aleancave që ata bënë me shtetet jashtë ballkanike, që pastaj kjo afërsi dhe bashkëpunim me ta, të shfrytëzohet në interesin e shqiptarëve si popull. Kjo ka funksionuar jashtëzakonisht mirë dhe ka qenë prej faktorëve jetikë për të ruajtur qenien etnike-kombëtare të shqiptarëve si popull. Tërheqja e kësaj paraleleje të këtyre tri figurave historike e bënë librin interesant dhe njëkohësisht joshës për t’u lexuar.

Karl Topia u lidhë me osmanët që kishin ndërtuar një perandori e cila me kalimin e kohës u bë fuqi botërore. Ai përfitoi nga osmanët për t’i ndalur hovin kundërshtarëve të tij politik Balshajve ortodoksë, të cilët ishin të përkrahur edhe nga princat serbë, që në vazhdimësi ishin rrezik real për asimilimin etno-kulturor të shqiptarëve.
Hasan Prishtina ideologu gjenial, pati një bashkëpunim të mirë me Austro-Hungarinë, një nga fuqitë botërore e cila edhe për shkak të përplasjeve që kishte me perandorinë Ruse dhe shtetet sllave ballkanike, shprehte interesimin që t’i mbështeste shqiptarët në synimet e tyre.
Adem Jashari figura emblematike e kohës moderne, kishte orientim drejt shtetit matan kontinentit evropian, me SHBA-në, e cila ishte superfuqi botërore.

Koha dëshmoj se ky ishte orientimi më i mirë që bënë shqiptarët si popull, pasi ishte shteti që bëri më së shumti duke qenë sponzorizuesi kryesor në çlirimin dhe shtet-bërjen e Kosovës, ku ne si popull çdoherë do t’i jemi mirënjohës.
Çështja e rishikimit të teksteve të historisë
Autori Novosella është për rishikim të teksteve të historisë, por jo në kërkesat e atyre që janë të vijës pro sllavo-ortodokse (siç e përmend në librin e tij), gjithashtu edhe jo në përputhje me kërkesën që erdhi nga ministria e arsimit e Turqisë që ka një tendencë që Perandorinë Osmane ta identifikojë me një racë të caktuar (atë turke), kur dihet se kjo perandori nuk identifikohej me një popull të caktuar, por ishte perandori shumë shumetnike, ku e përbënin me tepër se 40 popuj. Shqiptarët si popull ishin integruar në suaza të kësaj perandorie duke qenë pjesë përbërëse e shoqërisë dhe e institucioneve shtetërore osmane.

Ata duke u integruar bëhen faktor në Ballkan duke i ndalur hovin popujve sllavo-grekë që të zgjeroheshin në vazhdimësi në dëm të trojeve etnike shqiptare. Populli shqiptar i dha Perandorisë Osmane kryeministra, qeveritarë, komandantë ushtarakë, dijetarë, letrarë, filozofë, diplomatë, historianë, arkitektë, mjekë specialistë, mjeshtër profesionesh të ndryshme, të njohur në historinë dhe në kulturën botërore. Këto personalitete shqiptare ani pse kontribuuan për Perandorinë Osmane, kurrë nuk hoqën dorë nga etnia e tyre shqiptare dhe në mesin e bashkatdhetarëve të tyre e flitnin gjuhën shqipe. Ndonëse shqiptarët përbënin një popull të vogël, kontributi i tyre në jetën e përgjithshme osmane ka qenë tejet i madh. Shumë personalitete me origjinë shqiptare kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për zhvillimin e mendimit islam në Perandorinë Osmane dhe për integrimin e kombit shqiptar.

Shpeshherë shqiptarët zunë pozita të rëndësishme në shtetin osman, madje nuk është ndoshta e tepërt të thuhet se edhe në disa raste kanë qenë edhe udhëheqës të Perandorisë Osmane. Nëse turqit kanë qenë meritorë në formimin dhe fuqizimin e Perandorisë Osmane, shqiptarët kanë qenë mbrojtës dhe vazhdues të jetëgjatësisë së kësaj perandorie. Andaj merita kryesore për ndërtimin e kësaj perandorie gjigante, ju takon turqve e padyshim edhe shqiptarëve, pa e anashkaluar edhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të etnive të tjera në këtë perandori të përbashkët.

Konsideroj që autori Novosella ka këtë qasje të trajtimit (rishikimit) të historisë dhe jo që ajo të bëhet në përputhje me kërkesat sllavo-greke apo nacionaliste turke.
Vija sllavo-greke ortodokse dhe ajo jashtë ballkanike
Autori thekson se çdokush që ka qenë në linjën e afrimit dhe kërkimit ndihmë nga sllavo-grekët, ka qenë e dëmshme për shqiptarët si në pikëpamja etnike e po ashtu edhe në atë kombëtare.

Madje merr guximin deri aty, sa adreson edhe kritika të ashpra tek disa personalitete shqiptare, që kanë një rëndësi të veçantë në historinë kombëtare shqiptare, është fjala për Ismail Qemajlin, Isa Boletinin dhe disa të tjerë. Ata në disa raste kërkuan bashkëpunim me ta për qëllime politike, mirëpo pavarësisht prej qëllimeve të mira, autori Novosella nga këndi i tij personal me syrin kritik i sheh si të dëmshme këto afrime, pasi dihen qëllimet politike të sllavo-grekëve çdoherë të gatshëm për t’i gllabëruar territoret shqiptare. Ai shpëtimin e shqiptarëve (në kontekstin historik të asaj kohe) e sheh në afrimin dhe bashkëpunimin \me Perandorinë Osmane (pasi ajo nuk kishte pretendime asimiluese ndaj shqiptarëve), e gjithashtu edhe me perandorinë Austro-Hungareze e cila po ashtu ishte e interesuar që ta shtrinte vetë ndikimin në Ballkan, duke mos ju krijuar hapësirë zgjerimit rus dhe sllavë në Ballkan (rrjedhimisht edhe në tokat shqiptare).

Shqetësimi i z. Novosellës për shqiptarët ortodoks
Shqiptarët gjatë mesjetës ndaheshin në dy konfesione fetare, në atë katolike dhe ortodokse. Për dallim prej shqiptarëve katolikë, që për shkak të aspektit fetar nuk ekzistonte rreziku i asimilimit të tyre etnik (kulturalisht), ky rrezik ishte prezent në vazhdimësi për shqiptarët ortodoksë nga sllavo-grekët ortodoks. Për dallim prej këtyre popujve që kishin arritur që t’i pavarësonin kishat e tyre, ku qendra e kishës ortodokse serbe ishte në Pejë, ajo bullgare në Ohër, shqiptarët nuk e kishin kishën e tyre etnike, dhe ata shërbeheshin në kishat që udhëhiqeshin nga sllavët dhe greko-bizantinët.

Për shkak të pushtimit sllav dhe imponimit dhe ndikimit fetar ortodoks, shqiptarët e këtij riti në vazhdimësi asimiloheshin duke e humbur identitetin e tyre etnik. Shqiptarët ortodoksë që kaluan në islam e ruajtën identitetin e tyre etnik, pa u tjetërsuar, pasi islami si besim nuk ndikonte në asimilimin etno-kulturor të popujve që përfshiheshin në kuadër të saj.

Madje Sabri Novosella gjatë një vizite që bëri në Maqedoni, ai takohet me disa ortodoksë që tregonin se dikur të parët e tyre kishin qenë shqiptar, por për shkak të ortodoksizmit sllav, ata ishin asimiluar pothuajse tërësisht. Novosella bën thirrje për një rizgjim kombëtar tek ata shqiptarë që ende e ndjejnë vetën të tillë dhe janë të ritit krishter ortodoks.

​Autori Novosella i jep hapësirë të veçantë në librin e tij princit katolik Karl Topisë, duke e ngritur lart në piedestal dhe e vlerëson jashtëzakonisht veprimin politikisht të menduar mirë të këtij princi, jo vetëm për principatën që ai drejtonte, por edhe në dobi të vetë racës shqiptare që ishte rrezik potencial zhdukja e tij nga sllavët ortodoksë, krijimin e aleancës që bënë me osmanët.

Veprimi shpëtimtar që bëri princi Karl Topia duke bërë aleancë me Perandorinë Osmane dhe duke dalë fitues në betejën e Savrës kundër Balshajve ortodoksë që ndihmoheshin nga aleatët e tyre serbo ortodoks, ishte faktor shpëtimtar për popullin shqiptar nga shfarosja kolektive si racë. Bashkëpunimi me osmanët ishte faktor në ruajtjen e qenies etnike shqiptare.

Ky konstatim që bën z. Novosella mund të zgjoj kërshërinë dhe reagimin e lexuesit shqiptar.
Ai kritikon Balshajt ortodoksë që kishin bërë aleancë me princat serbë dhe në pikëpamje fetare ishin të lidhur administrativisht me kishën ortodokse serbe, çka rrjedhimisht e bënte të dëmshme për interesat kolektive të shqiptarëve si popull (racë). Pra, kishte një përplasje në mes të shqiptarëve katolikë të udhëhequr nga Topiajt dhe në aleancë me osmanët muslimanë dhe balshajve ortodoksë në aleancë me serbët ortodoksë.

Novosella krijimin e aleancës së topiajve me osmanët e sheh si rrugë e vetme shpëtimi për racën shqiptare, pasi ajo rrezikohej seriozisht nga dyndja sllavo-ortodokse, të ndihmuar edhe nga aleatët shqiptarë ortodoksë.
Përplasjet e kishave për dominim
Të dy kishat, ajo katolike dhe ortodokse ishin të interesuara që të shtrinin sa më tepër ndikimin e tyre në territoret ballkanike (në këtë rast edhe në territoret shqiptare).

Pra, çdo herë ka pasur përplasje në mes tyre për dominim. Ashtu siç theksohet në libër, pavarësisht përhapjes së katolicizmit, i cili nuk paraqiste rrezik për asimilim etno-kulturor për shqiptarët, pasi ishte vetëm segmenti shpirtëror, ortodoksizmi bëhet i rrezikshëm, pasi kjo fe vihet në shërbim të politikave shtetërore të serbëve dhe të grekëve. Mundësia ishte më e madhe që të përhapej ortodoksizmi, pasi kishte përkrahjen e shteteve të cilat e mbështesnin vazhdimisht dhe rrjedhimisht ishte faktor kyç në asimilimin etno-kulturor të shqiptarëve ortodoksë.

Feja tek popujt ortodoksë ishte mishëruar me vetë politikën shtetërore dhe shkonin paralel në të njëjtën linjë duke realizuar interesat e përbashkëta fetaro-politike, prandaj edhe ishte rrezik real për asimilimin etnik të shqiptarëve krishterë, në veçanti ata ortodoksë. Ndërsa katolicizmi qendrën e kishte në Romë dhe ishte fe internacionale dhe jo e një populli të caktuar, prandaj edhe nuk kishte rrezik për asimilimin kulturor të shqiptarëve.

Përplasja në Kuvendin e Taksimit
Iniciator i këtij kuvendi ishte Hasan Prishtina, për të diskutuar dhe marrë vendime të rëndësishme për fatin e kombit, kur ishte rrezik zhdukja e tij nga apetitet sllavo-greke. Në këtë kuvend morën pjesë figurat kryesore shqiptare të asaj kohe. Këtu pati edhe përplasje për shkak të qëndrimeve ndryshe gjatë diskutimeve që bënë pjesëmarrësit. Për të mos hyrë në detaje të këtij kuvendi, z. Novosella në librin e tij, bën një kritikë të ashpër ndaj pjesëmarrësve (duke përfshirë edhe Ismajl Qemajlin), për mos qasjen korrekte ndaj situatës në të cilën ndodheshin shqiptarët.

Kjo për faktin se disa prej tyre vazhduan bashkëpunimin me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe të Greqisë, kur duheshin qëllimet e tyre djallëzore ndaj tokave shqiptare, ndërsa Hasan Prishtina mbante takime të rëndësishme me përfaqësues të Austrisë, që përputheshin interesat e të dy palëve.

Një gjë interesante që prezantohet në libër është edhe përkrahja në heshtje që pati Hasan Prishtina nga vetë sulltani, i cili në një rast i thotë “shpëtoni çfarë mund të shpëtoni”, është fjala për pushtimet e territoreve shqiptare që bënin popujt ballkanik, por pa mundur për t’i ofruar ndihmë konkrete.

Ashtu si Karl Topia, që e kërkoi një shtet të fuqishëm të kohës, siç ishte Perandoria Osmane Islame, edhe Hasan Prishtina kërkoi dhe e gjeti një shtet të tillë të fuqishëm që do të përkonte me interesat e shqiptarëve si popull, dhe ajo ishte Perandoria Austro-Hungareze katolike, që rrezikohej edhe nga vetë sllavo-grekët ortodoksë dhe nga Rusia ortodokse. Ky ka qenë veprimi më i duhur i ideologut Prishtina, duke kërkuar mbështetje për të realizuar qëllimet e tij politike në interesin e përgjithshëm të shqiptarëve. Koha dëshmoi që Austro-Hungaria ka qenë faktor i rëndësishëm në bërjen e Shqipërisë shtet.

Adem Jashari dhe populli shqiptar gjatë luftës së fundit bënë orientimin më të mirë të mundshëm të kohës, duke e drejtuar shikimin nga vendet perëndimore e në veçanti ndaj superfuqisë botërore SHBA-së, e cila ka dhënë një përkrahje të fuqishme gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Krijimi i aleancave me shtete të fuqishme është prej faktorëve kyç në realizimin e aspiratave kombëtare si popull.

Autori Novosella është për ruajtjen e kësaj linje të orientimit të shqiptarëve si popull drejt SHBA-së që përkon me interesat tona kolektive si komb.

Sipas autorit, gjersa Perandoria Osmane Islame i shpëtoi shqiptarët krishterë nga shfarosja kolektive si popull nga sllavët, në luftën e fundit në Kosovë (1999) SHBA-ja dhe Evropa e krishterë i shpëtoi shqiptarët muslimanë nga shfarosja kolektive nga pushtuesit serbë.
Shpejtim Morina – Fakulteti i historisë dhe
Niveli master – juridik.

Temat
Opinione

Të afërta