Pacolli: Unë nuk e kam njohur kurrë Mimoza Kusarin dhe emri i saj ka qenë zero

Ish – presidenti Behgjet Pacolli ka akuzuar rëndë ish – zëvendësen e tij në AKR, Mimoza Kusari-Lila, duke thënë se ajo e ka qenë përfituese dhe se ka shfrytëzuar AKR-në si trampolinë.

Pacolli ka shkuar aq larg, saqë ka theksuar se aq shumë e ka mbështetur Kusari-Lilën, saqë fushatën në zgjedhjet e fundit për kryetare të Gjakovës ia ka organizuar me përmasa milionëshe.

“Kryetarja ka qenë zëvendëspresidente e AKR-së. Trampolina që e ka shfrytëzuar kryetarja në AKR ka qenë shumë e madhe, stabile dhe zonja çdo gjë e ka pasur të mundur në AKR. Dhe në një moment të caktuar të lihet AKR-ja anash ka qenë e pakuptueshme dhe ka qenë papërgjegjësi. Pak më butë po them ka qenë përfituese, për arsye se AKR-ja ka qenë aty”, ka thënë Pacolli në emisionin Natën me Fatmir Spahiun, transmeton Indeksonline.

Ai ka shtuar se ashtu siç Gjakova udhëhiqet sot, nuk udhëhiqet prej AKR-së. Derisa thotë se nuk e kishte njohur asnjëherë Mimoza Kusarin, por ajo kishte shkuar vet në zyre për ku kishte kërkuar aderimin në AKR.

“Unë nuk e kam njohur kurrë Mimoza Kusarin dhe emri saj ka qenë zero. Mua më është imponuar ajo prej një bashkëpunëtori dhe ajo ka ardhur ka shprehur dëshirën me qenë pjesë e AKR-së. Ajo prej AKR-së ka qenë numri i dytë në Qeveri, ka qenë Ministre dhe ka punuar në mënyrë autonome, ka dashur të kandidoj për kryetare të Gjakovën dhe e kemi mbështetur pa limit dhe ajo e ka pasur një fushatë shumë të kushtueshme në Gjakovë, të përmasave milionëshe. Unë ju kam premtuar Gjakovës se ne do ta ndryshojmë Gjakovën”, ka theksuar ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta