Shpëtohen dy turistë italianë, kishin përfunduar në një shpellë 70 metra të thellë

Policia e Vlorës i ka shpëtuar dy turistë italianë, të cilët kishin humbur rrugën në malin e Çikës në Himarë.

Sipas bluve, rreth orës 14:30 të ditës së djeshme ishin njoftuar se në një mal të Himarës ndodhen 2 turistë, shtetas italianë (për piknik), të cilët kanë humbur rrugën e orientimit për t’u kthyer.

Menjëherë, Shërbimet e Policisë së Vlorës janë organizuar për t’iu ardhur në ndihmë këtyre 2 turistëve L. R 26 vjeç, banues në Ankona dhe P. C 31 vjeç, banues në Trevizio.

Mësohet se këta dy shtetas, janë nisur për piknik më datë 30.04.2016 në drejtim të Malit të Çikës dhe ditën e djeshme kishin planifikuar të zbrisnin në fshatin Dhërmi, por në zbritje të malit ata kanë hasur në një terren të vështirë, duke ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë qëllim kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Për gjetjen e tyre janë angazhuar shërbimet e Policisë së Vlorës, shërbime të “Delta Forca”, “Guarda di Finanza”, të cilët kanë bashkëpunuar duke kërkua r përgjatë natës së kaluar, në kushte të vështira mes errësirës dhe reshjeve të shiut dhe mungesës së kontaktit telefonik me këta 2 shtetas pasi iu ishin fikur telefonat.

Vetëm sot është bërë e mundur gjetja e tyre në mal, ku kishin rrëshqitur për shkak të lagështirës në një shpellë rreth 70 metra e thellë dhe janë nxjerrë prej andej me ndihmën e litarëve, materiale me të cilat ishin pajisur këto shërbime për shpëtimin e tyre.

Turistët sapo kanë mbërritur në pikën më të afërt në Himarë, përpos shërbimeve të tjera po i priste edhe shërbimi mjekësor me autoambulancë.

Ekipi mjekësor ka konstatuar se dy turistët ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor.

Ty të rinjtë italianë janë transportuar në drejtim të Vlorës me një automjet të konsullatës italiane.

Temat
LajmeRajon

Të afërta