Nga 5 maji vezët do të shiten vetëm me kod, ndryshe konfiskohen

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton të gjithë fermerët prodhues të vezëve dhe qytetarët si konsumatorë se duke filluar nga data 5 maj në tregun e brendshëm, do të lejohen të qarkullojnë për konsum vetëm vezët të cilat janë të shënuara sipas kodeve të regjistrimit për prodhimet vendor me shifrën RKS-001 e tutje.

Ndërsa vezët e importit do të kenë të shënuara kodet e fermave të vendosura nga autoritetet e tyre në vendin e origjinës. Vezët, të cilat nuk janë të markuara e të cilat hasen në treg pas kësaj, do të konfiskohen dhe asgjësohen nga ana e inspektoratit.

Sipas legjislacionit në fuqi bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 17/2008, “Për përcaktimin e cilësisë së vezëve”. Të gjithë prodhuesit dhe paketuesit janë të obliguar të bëjnë shenjëzimin e vezëve, sipas numrit unikë të regjistrimit të prodhuesit.

Në një njoftim të AUV deri më 20 prill është bërë regjistrimi i të gjithë atyre që kanë aplikuar pranë AUV-së.

“Andaj ne ftojmë ata të cilët ende nuk e kanë bërë aplikim dhe nuk janë pajisur me kodin unik të prodhuesve të vezëve, ta bëjnë sa me shpejt në të kundërtën nuk mund të nxjerrin ne treg produktet e tyre”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Ushqimit bën thirrje konsumatorëve që pas 5 majit mos të blejnë vezë të cilat nuk janë të shënjuara me kode.

“Kodi i tyre dëshmon origjinën e vezës. Ne si autoritet me trupat tona inspektuese do të jemi në teren, për të larguar nga tregu vezët të cilat nuk janë të shënjëzuara. Bashkëpunimi ynë me konsumatorë dhe prodhues kontribuon në ruajtje të shëndetit të përgjithshëm publik”, thuhet në komunikatë të AUV.

Temat
LajmeVend

Të afërta