Deputetët e pushtetit mashtrojnë Kuvendin

Prova mashtrimi kanë dhënë të premten deputetët e subjekteve në pushtet.

Prova mashtrimi kanë dhënë të premten deputetët e subjekteve në pushtet.

Kanë qenë 72 sish të nënshkruar në regjistrin e vijimit të seancës, kartelat e 62 deputetëve ndodheshin në elektronikën që flet për pjesëmarrjen në sallë, por prezenca fizike në mbledhjen plenare nuk e dëshmonte asnjërën prej këtyre shifrave.

Për pasojë, gjatë ditës kanë dështuar dy tentativat për ta zhvilluar seancën. Fizikisht në sallë nuk ishin së paku 61 ligjvënës, numër ky minimal për vendimmarrje. Kuorumi ka munguar edhe në përpjekjen e paradites, e edhe në atë të pasdites. Madje, ka munguar edhe një ditë më parë, kur ka marrë start seanca.

Kryeparlamentari Kadri Veseli e ka shtyrë mbledhjen plenare për një kohë të pacaktuar dhe ka konfirmuar mashtrimin e bërë nga deputetët.

“72 veta kanë ardhur për mëditje. Asnjëherë në këtë sallë si sot nuk kanë qenë mbi 54 – 55 deputetë”, ka thënë Veseli, i cili nuk i është përgjigjur kërkesës së disa deputetëve të LDK-së për t’i bërë publik emrat e mashtruesve. “Nuk kam të drejtë”, është arsyetuar ai.

Subjektet në pushtet kanë 85 nga 120 deputetët sa ka Kuvendi. Thuajse të gjithë i vijonin punimet e mbledhjeve të sesionit vjeshtor dhe atyre të mbajtura në fillim të këtij pranveror, kur opozita aplikonte mjete proteste brenda sallës, duke përfshirë hedhjen e gazit lotsjellës, në përpjekjen për ta penguar punën e legjislativit. Ka rreth dy muaj që opozita e ka shpallur bojkotin.

E prej atëherë, vetëm edhe katër seanca janë zhvilluar dhe në secilën prej tyre mezi është mbërritur kuorumi, shkruan Koha Ditore.

Temat
LajmeVend

Të afërta