Rama: Nuk duam të vuajmë jashtë BE-së

Rama deklaron se Shqipëria dhe shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit europian.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar serish deklaratën e ministrit të Drejtësisë Majkëll Gove për të ndjekur rrugën e Shqipërisë për të dalë nga Bashkimi Europian dhe krijimin e një konfederate britaniko-ballkanike .

Kësaj radhe nga Sky News, Rama ndër të tjera deklaron se Shqipëria dhe shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit europian.

“Fillimisht e dëgjova këtë nga dikush në zyrën time dhe mendova do jetë ndonjë shaka. Duke njohur inteligjencën e Gove, ishte e papritur dhe e çuditshme për mua që zoti ai të bënte thirrje për krijimin e kësaj konfederate apo edhe të deklaronte se Shqipëria nuk do te jetë pjesë e BE. Shqipëria dhe shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe ne nuk duam të vuajmë jashtë tij”, theksoi Rama

Frikën e dyndjes së shqiptarëve në Britani Rama iu përgjigj. “Pyesni gjermanët, francezët, danezët e të tjerët, nëse ata kanë parë qiejt e tyre të pushtuar nga ‘shqiponjat e zeza shqiptare’, duke u ndalur atje e duke sulmuar popullatën. Kjo është e pakuptimtë, tërësisht e pakuptimtë. Nuk e imagjinoj dot, sesi shoqëria juaj mund të orientohet në këtë debat shumë fëminor”, tha Edi Rama.

Temat
LajmeRajon

Të afërta