Berisha godet: Z. Sela, ju do ti fitoni 20 deputet siç i fitoi Rufi Osmani

Partia LR-PDSH, Lëvizja BESA, UNITETI dhe RDK duhet të punojnë pandërprerë në terren, me oferta konkrete që ti motivojnë qytetarët e dëshpruar dhe të papërcaktuarit. Kështu vlerson për Zhurnal, eksperti për çështje politike, Ejup Berisha.

Sipas tij Ziadin Sela, Bilall Kasami, Vesel Memedi dhe ish gjenerali i UÇK-së, Gëzim Ostreni duhet që njëherë e përgjithmonë të japin para qytetarëve ofertë konkrete dhe jo të humbin kohën me përplasje ndërmjet veti se kush nga ata është lider më i madh, ku nuk dihet se sa përkrahës kanë.

“Partitë e reja shqiptare duhet të konsolidohen ose rrezikojnë të pësojnë fiasko në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, dhe të njëjtat kanë gjasa që ta pësojnë fatin e shumë partive tjera shqiptare të mëparshme që kohë më parë u formuan në Maqedoni, por të cilat i humbën të gjitha betejat zgjedhore dhe tanimë janë subjekte që nuk kanë kurrfar kushti dhe mundësie që të fukcionojnë në ambientin politik. Të mundohesh ta bindësh opinionin se je duke bërë parti e të mos bësh lëvizje serioze për sigurimin e përkrahjes për programin dhe platformën partiake është ose naivitet, ose mosnjohje elementare të mënyrës së të bërit të partisë ose ndoshta janë në pyetje projekte dhe skenare të kontraktuara me subjektet ekzistuese politike. Lufta për primat në skenën politike bëhet mes forcave reale politike e jo mes ideve të papërfunduara që mund të ngelin të tilla nëse nuk arrihet që partive tu sigurohet forcë dhe relevancë politike. Krijohet përshtypja se udhëheqësit e ri të partive të reja politike më shumë se gjysmën e energjisë dhe të kohës që duhet ta shfrytëzojnë për konsolidimin dhe strukturimin e partive po e humbin kotë duke dashur të dëshmohen se cili është udhëheqës më i madh se tjetri por udhëheqës të kujt”, ka deklaruar Berisha duke shtuar se partitë jashtëparlamentare shqiptare në Maqedoni duhet të konsolidohen pasi në të kundërtën mund të përjetojnë fatin e Rufi Osmanit i cili dilte në media dhe garantonte se do të fitonte 20 deputet, ndërsa në fakt mezi arriti ti fitojë dy deputet.

Berisha paralajmëron se këtë debakël mund ta përjetojnë edhe këto parti shqiptare të cilët çdo ditë marrin guximin dhe thonë se përfaqësojnë popullin shqiptar, ndërsa forca reale e tyre do të dëshmohet në zgjedhje.

“Partitë rriten dhe zvogëlohen në zgjedhje. Nëse fitojnë në to atëherë ata e sigurojnë mundësinë të rriten nëse jo atëherë ato përher do të mbeten parti të vogla. Prandaj partitë politike nuk bëhen për ta rritur relevancën e individëve të caktuar që zënë pozita më të larta në parti por për ta rritur forcën dhe ndikimin e subjektit politik në përgjithësi.  Këtë partitë arrijnë ta bëjnë vetëm përmes organizimit të aktiviteteve dhe akcioneve konkrete duke mobilizuar antarsi dhe simpatizantë të partisë me qëllim që ta zvogëlohet relevanca partive ekzistuese në ambientin politik vendor . Bajraktarizmi nuk e ka quar askund asnjë popull, dhe nuk e ka quar askund as popullin shqiptar”,ka theksuar për Zhurnal, Berisha.

Ndryshe, Berisha mendon se është mirë që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor me qëllim që të verifikohet forca reale e LR-PDSH-së, Lëvizjes BESA, RDK-së dhe UNITET-it. Ai mendon se nëse këta parti nuk arrijnë rezultat të mirë siç paralajmërojnë të njejtat, atëher Ziadin Sela, Bilall Kasami dhe Vesel Memedi duhet të marrin kuferat dhe të ikin nga Maqedonia.

Temat
Rajon

Të afërta