Bastisjet e sotme në Kosovë, kusht për liberalizimin e vizave?!

Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës kanë nisur sot një aksion të bastisjes dhe arrestimit të 51 personave ku në mesin e të cilëve është edhe deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Megjithëse Syla nuk është gjetur ende nga policia, ky aksion i Eulexit dhe Policisë së Kosovës vjen me një moment kur Kosova është sy e vesh për liberalizimin e vizave. Madje ky aksion policor duket se lidhet ngush me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, transmeton zeri.info.

Pikërisht një nga 8 rekomandimet e fundit që Kosova kishte marrë për liberalizim kishte qenë edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova kishte plotësuar 12 nga 15 kërkesat në fushën e luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, transmeton zeri.info.

Për të qenë plotësisht në pajtim me kërkesat në fushën e luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, të parashtruara nga BE, Kosova duhej që të krijonte një sistem monitorues të vazhdueshëm të hetimeve, vendimeve të formës së prerë dhe konfiskimeve në rastet e rënda nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, sidomos duke i dhënë një koordinatori qendror rastet serioze të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me mandat dhe staf për të udhëhequr ekipe multidisiplinare të hetimeve financiare dhe për monitorimin e gjyqësorit në ndjekjen e rasteve të tilla.

Rasti i bastisjeve të sotme ndërlidhet ngushtë me këtë proces dhe Kosova duket se po përmbush edhe kriterin e fundit në këtë drejtim.

Për më tepër edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa sot nuk gjendet në Kosovë. Ai është në Bruksel ku pritet të takohet me presidentin e Komisioni Evropian Jean Claude Juncker.

E tema e diskutimit siç është konfirmuar edhe nga kryeministria është pikërisht procesi i liberalizmi të vizave për Kosovën, transmeton zeri.info.

Ndërkohë kujtojmë se një “kusht” të tillë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kishte pasur edhe Serbia në fund të vitit 2015.

Autoritetet serbe kishin arrestuar 80 zyrtarë dhe ish-funksionarë të lartë, pjesa më e madhe të partive opozitare nën akuzat për korrupsion, përfshirë shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Në komentet për gazetarët, ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç kishte thënë se të arrestuarit akuzohen në 20 çështje penale të “krimit financiar dhe korrupsionit” që i kanë kushtuar shtetit 100 milionë dollarë.

Temat
LajmeVend

Të afërta