Vjosa Osmani: Angazhimin tim politik e kam të koncentruar në LDK dhe në reformimin e saj

Pas largimit të deputetit Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe paralajmërimit që ky i fundit do të themeloj një parti të re politike, në opinion filluan të përmenden emra se kush mund të jenë pjesë e kësaj partie.

Mediat kishin raportuar se njeriu i parë i cili do t’i bashkohet Dedës, është kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, e cila përfundimisht i ndau rrugët me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Një emër tjetër i madh i politikës në Kosovë, që është përfolur se mund të jetë pjesë e ndonjë partie të re politike, është edhe deputetja më e votuar në vend, nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.Mirëpo, ajo i ka thënë Gazetës Blic se është e angazhuar maksimalisht që ta reformoj LDK-në.
Megjithatë, Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse përfundimisht do t’u mbyllet dera reformave në këtë parti, ta mendoj të ardhmen e saj politike.

“Angazhimin tim politik e kam të koncentruar në LDK dhe përpjekjet për reformimin e saj. Megjithatë, nëse në LDK tregohet se nuk ka vullnet për reformim dhe mbyllen të gjitha dyert e mundshme që kjo të ndodhë, do t’ju njoftoj me kohë se si do ta vazhdoje rrugëtimin në politike”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme edhe ish- presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e cila u përfol se do të jetë në një grupim politik me Ilir Dedën, e ka demantuar një mundësi të tillë.

Temat
LajmeVend

Të afërta