Preteni: Prokurimi publik, një rrezik i fuqishëm sa i përket korrupsionit

Korrupsioni i lartë në vend ishte shqetësimi që u ngrit në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundërkorrupsion, në të cilin u shqyrtua Raporti vjetor i punës së kësaj Agjencie për vitin 2015.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Hasan Preteni i cili paraqiti këtë raport para komisionit, tha se shqetësim mbetet deklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rrejshëm i tij. Ndërsa tha se problem mbetet prokurimi publik, i cili paraqet një rrezik të fuqishëm sa i përket korrupsionit. Rreziku më i madh sipas tij mbetet tek institucionet, në të cilat ka tender më shumë, si në Ministrinë e Infrastrukturës, Shëndetësisë dhe Arsimit.

Preteni po ashtu theksoi se ka propozuar trajnime të përbashkëta për ligjin e prokurimit, pasi që njohuritë e prokurorëve për këtë ligj janë bazike.

 Ndërsa, Selvije Halimi, zëvendëskryetare e këtij komisioni, tha se e gjithë shoqëria në Kosovë është e shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe se problematikë mbetet se a është realitet apo vetëm perceptim, një shkallë kaq e lartë e tij.

Por për Armend Zemajn, anëtar i komisionit nga radhët e LDK-së, niveli i lartë i korrupsionit nuk është perceptim por realitet. Zemaj kërkoi dhe nxjerrjen e një ligji, i cili do të justifikonte pasurinë milionëshe të zyrtarëve të lart publik.

Ndërkaq Agim Aliu, anëtar i komisionit nga radhët e PDK-së, tha se ky raport nuk jep shpresë për vendin, pasi që nuk po tregon se korrupsioni po luftohet.

Agim Ademaj, anëtar i komisionit nga radhët e LDK-së, tha se mos publikimi i emrave të njerëzve që ndjeken penalisht ose mos precizimi i shifrave, krijojnë përshtypjen që të gjithë zyrtarët shtetëror janë të korruptuar.

Ndryshe, sipas Raportit vjetor të punës së Agjencisë Kundër Korrupsion në vitin 2015, janë ushtruar 126 kallëzime penale, kundër 189 zyrtarëve. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2015 nga 4400 zyrtarë 1552 kanë më shumë pozita. Katër zyrtarë ushtrojnë 6 pozita dhe tetë zyrtarë ushtrojnë nga pesë pozita, duke u kërkuar që të rregullohet punësimet e shumëfishta, sidomos për gjyqtar dhe prokuror./KosovaPress/

Komisioni per legjislacion

 

Temat
LajmeVend

Të afërta