Përurohet renovimi i shkollës “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e renovimit të Shkollës “Xheladin Gashi –Plaku” në Komoran.

Kryeministri Mustafa, gjatë kësaj vizite, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrat Arsim Bajrami dhe Mahir Jagcillar, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, deputetë dhe përfaqësues të tjerë, ka biseduar me stafin arsimor për procesin dhe rezultatet e punës, kushtet e mësimit dhe shumë aspekte që lidhen me mësimin në këtë shkollë.

“Është një shkollë e cila vërtetë po shihet se ka kushte të mrekullueshme. Ajo që ne na gëzon, është fakti që njerëzit që punojnë, qytetarët e kësaj pjese janë të gëzuar me kushtet që janë krijuar për fëmijët e tyre, që është vlera themelore sepse ne duhet të krijojmë kushte më të mira, që nxënësit t’i gëzojnë ato”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, i ka uruar shumë suksese nxënësve dhe mësuesve duke theksuar përkushtimin e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që t’i përkrah maksimalisht, në mënyrë që shkolla të jetë më e mirë, më cilësore dhe kuadrot të jenë konkurrent në tregun kosovar por edhe atë evropian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar kushtet e krijuara në këtë shkollë duke përgëzuar nxënësit dhe mësuesit për punën e tyre.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës, shprehu kënaqësinë që në një afat shumë të shpejt është arritur të rregullohet kjo shkollë.

Duke iu referuar faktit se kjo shkollë ka një emër të një heroi kombëtar, personalitet që ka ditur të arsimojë dhe rezistojë, ministri Bajrami tha se të gjithë jemi të obliguar që tani të punojmë në ngritjen e cilësisë.

“Janë shumë të rëndësishme objektet shkollore dhe infrastruktura, por më e rëndësishme është që të gjithë të punojmë në ngritjen e cilësisë. Mora zotimin e drejtorit të kësaj shkolle që në të ardhmen do të jenë kushte edhe më të mira, që fëmijëve t’ju ofrojmë arsimim cilësor, që do t’ju krijoj nesër punësim dhe mirëqenie të përgjithshme familjare”, tha ministri Bajrami. /Telegrafi/

auto_2be76c98-0188-4e0e-8d89-b884758713ea1461579822

Temat
LajmeVend

Të afërta