Ismet Beqiri: Nait Hasanin nuk e pyet kush për koalicione

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PDK-së Nait Hasani, i cili tha se PDK-ja ka vijë të kuqe për LDK-në dhe se Lidhja Demokratike është e krahut të majtë.

Beqiri në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se Hasani nuk ia ka qëlluar në vlerësimin që ka dhënë për LDK-në lidhur me majtizmin.

“Është e drejtë e tyre të mendojnë dhe të thonë çka të dojnë, edhe kur nuk ja qëllojnë, sepse është shumë e qartë që zoti Hasani nuk ja ka qëlluar bash hiç sa i përket vlerësimit për LDK-në”, është shprehur ai.

E sa i takon koalicionit dhe “vijës së kuqe” që Hasani tha se PDK-ja do ta ketë për Lidhjen Demokratike, ai ka thënë se deputeti Nait Hasani nuk mund të vendosë për të tilla gjëra.

“Është shumë e qartë që nuk është Naiti që vendos për PDK-në, sikundër që unë nuk kam qenë ai që kam vendosur se a do të jetë LDK-ja me PDK-në në koalicion apo jo, por kanë qenë forumet e partisë, pavarësisht mendimeve tona personale”, ështër shprehur Beqiri.
Tutje, ai e ka cilësuar vetëm si një deklaratë të një deputeti atë çfarë ka thënë Hasani, duke shtuar se kjo është e drejtë e tij.

E sa iu takon akuzave për “majtizëm”, Ismet Beqiri tutje ka shtuar, se Nait Hasani është ndër personat e fundit që mund të flasë për një gjë të tillë.

“Sinqerisht, ndër të fundit që kish mujt me folë për majtizëm dhe djathtizëm është z. Naiti, sepse nuk është një individ në këtë rast që ia përcakton statusin dhe profilin një partie tjetër, aq më tepër është e habitshme. S’po di a e ka lexuar ai ndonjëherë apo a ka dëgjuar që LDK-ja është anëtare e Partive Popullore Evropiane”, ka deklaruar, me ç’rast e ka sugjeruar deputetin e PDK-së ta bëjë një gjë të tillë.

Lidhur me po këtë çështje, Ismet Beqiri ka theksuar se LDK-ja është e profilizuar, për dallim nga PDK-ja, e cila siç ai ka thënë, më parë ka aspiruar të jetë pjesë e partisë internacionale socialiste, por që sipas tij, tashmë është deklaruar se është e djathtë.

Temat
LajmeVend

Të afërta