Bekim Haxhiu – Kamishi, i pakënaqur me vendimin e gjyqtarit për Selimin dhe Ymerin

Ai tha se ky vendim dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje është një parti e dhunës.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe Visar Ymeri janë shpallur të pafajshëm sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, derisa Besart Bujupi është shpallur fajtor.

Këtij të fundit, iu shqiptua dënimi me kusht, gjashtë muaj burgim, dënim ky të cilin nuk do ta vuaj nëse brenda një viti nuk kryen një tjetër vepër të ngjashme penale.

Gjyqtari Vesel Ismajli lexoi arsyetimin e vendimit të tij duke u thirrur në prova materiale, dëshmi dhe ekspertizë ligjore.

E vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, e cilësoi si jo të drejtë.

Ai tha se ky vendim dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje është një parti e dhunës.

“Vendimi sot dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje është një parti e dhunës dhe dëshmoi gjithashtu se aktgjykimi i gjykatësi Vesel Ismajli është një pohim i gjitha asaj që unë kam thënë menjëherë pas incidentit e deri më tani, pas konfliktit që kemi pas me deputetët e VV-së. Ndërsa, dëshmoi se gjykatësi Vesel Ismajli nuk ka integritetin profesional dhe guximin që të dënoj nxitësit, motivuesit dhe urdhërdhënësit e sulmit fizik, të përshkruar sipas aktakuzës së Prokurorisë. Por, ka dënuar nja pjesëtar me të vogël të Vetëvendosjes”, tha Haxhiu.

Bekim Haxhiu kishte paditur Visar Ymerin, Rexhep Selimin, Florin Krasniqin dhe truprojën e Selimit, Besart Bujupi, se e kanë sulmuar fizikisht.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të katërve të dyshuarve se kanë rrahur Haxhiun më 28 qershor të vitit 2012 në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta