Akademi përkujtimore në nderim të rënies heroike të heroit Sali Çekaj

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, sot është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të rënies heroike të heroit Sali Çekaj, në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”.

Me këtë rast, ministri i Punës dhe Mirëqenies Social, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, duke folur për luftën e lavdishme të Koshares, tha se shembulli i heroit Sali Çekaj, është i gjallë dhe i përjetshëm në mesin tonë.

“Beteja e Koshares ishte kulminacioni i një jete të plotë, të ndërtuar mbi sakrificën për liri. Kudo që ishte, përgjatë gjithë jetës, përpjekjeve për liri dhe shtetformim, Sali Çekaj i fali çdo ditë të jetës së tij. Në Betejën e Koshares, Çekaj i dha Kosovës edhe jetën e tij. Vitet kalojnë, por shembulli i Sali Çekaj, është i gjallë dhe i përjetshëm në mesin tonë. Sikur në Betejën e Koshares – si sot para 17 vitesh – ashtu edhe tani në liri, ky shembull na thërret ta duam vendin, t’i duam njerëzit tanë, të jemi të qëndrueshëm dhe të sakrifikojmë me vendosmëri”, tha ministri Abrashi.

Ministri Abrashi, tha po ashtu se Sali Çekaj ishte vënë edhe në ballë të luftës politike të vendit, duke kundërshtuar ndryshimet Kushtetuese në Kosovë.

“Ishte momenti i kthesës së madhe të përfaqësuar nga vizioni rugovian, të cilin e mbështeti Heroi Çekaj. Në ndjekje të vizionit të tij të shtetformimit, të mishëruar më 2 Korrik 1990, me Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë dhe aprovimin e Kushtetutës së Kaçanikut, Sali Çekaj zbatoi këtë vizion, duke qenë hartues i Statutit të ri Komunës, në harmoni me Kushtetutën e Kaçanikut dhe Deklaratën e Pavarësisë. Sali Çekaj ishte njëkohësisht lider dhe pasues”, tha ministri Abrashi.

Sipas tij, në kthesat vendimtare për bashkëqytetarët e tij, përmes angazhimit të tij intelektual, politik e ushtarak, Sali Çekaj për asnjë moment nuk iu nda refuzimit të shtypjes, sikurse nuk iu nda përpjekjeve për liri.

“Ishte në ballë të luftës politike të vendit, duke qenë kundër ndryshimeve Kushtetuese në Kosovë, si dhe refuzimit aktiv të vazhdimit të përfaqësimit të delegjitmuar politik, nën ish Jugosllavi. Ishte momenti i kthesës së madhe të përfaqësuar nga Vizioni Rugovian, të cilin e mbështeti Heroi Çekaj.  Shembulli i heronjve është shembull i njerëzve që forca e shtypjes nuk mund t’i ndalë dhe as tjetërsoj, askund dhe asnjëherë”, tha tutje Abrashi.

Ndërsa historiani Frashër Demaj foli për biografinë e Sali Çekaj, duke thënë se Saliu, i thyer në shpirt, por i pamposhtur, luftoi deri në momentet e fundit, kur më 19 prill 1999, tek vendi i quajtur Rrasa e Koshares, gjeti pavdekësinë.

“Saliu u vra duke dhënë shembullin se si jetohet, punohet, dhe flijohet për atdheun. Ai u shndërrua në ikonë të luftës për liri”, tha Demaj.

Komandanti i Brigadës “138 Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, fjalimin e tij para të pranishmëve e ka nisur me një thënie të Heroit Sali Çekaj.

“Ne jemi komb i vogël, prandaj duhet të bashkohemi. Ne nuk kemi mundësi as nuk guxojmë të lejojmë të ndahemi”.

Komandant Berisha, tha po ashtu se Sali Çekaj më së miri e dëshmoi se si duhet të luftohet me laps përderisa ka edhe një hapësirë të vogël.

“E kur kjo hapësirë të shuhet, ai dëshmoi se si burri duhet t’i dal zot edhe pushkës, deri në frymën e fundit”, tha Berisha.

Në emër të familjes, djali i Dëshmorit, Hysen Çekaj, falënderoi të pranishmit për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë familjes, në përballimin e dhimbjes në secilin përvjetor.

“Ditë e dhimbshme, por e mbushur me krenari për më të dashurin tonë, i cili me angazhimin e tij shumëvjeçar, kontribuoi krahas dëshmorëve dhe veteranëve tjerë, në realizimin e një ëndrre shekullore të shqiptarëve, një Kosovë e lirë, shtet i pavarur”, tha Hysen Çekaj.

auto_23e5d7fb-57ff-42be-beea-b5939cf0b7eb1461075841

Temat
LajmeVend

Të afërta