Serbët tërhiqen nga bllokimi i rrugës në Jarinjë

Qytetarët serb të veriut të Kosovës, të cilët të hënën kishin bllokuar qarkullimin në rrugën para vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, kanë liruar rrugën dhe janë tërhequr nga aty.

Kjo ka ndodhur pasi që u është thënë se autoriteteve të Kosovës, në vendkalim, nuk u ka shkuar asnjë vendim zyrtarë nga Prishtina lidhur me ndalimin e kalimit të kufirit për personat që posedojnë “dokumente identitetit jolegale, të cilat i kanë lëshuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”.

Ndryshe, disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, kanë bllokuar për një kohë qarkullimin e automjeteve në rrugën që qon drejt vendkalimit kufitar në Jarinë.

Qytetarëve u ishin bashkuar edhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut, por edhe kryetarët e të ashtuquajturave komuna që funksionojnë në kuadër të Serbisë, raporton Rel.

Ata kanë shprehur drojën se me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, mund të vijë deri te një bllokim i madh i ekonomisë dhe ndërmarrjeve në veri të Kosovës dhe kanë shfaqur shpresën se ky vendim nuk do të zbatohet.

Gjithashtu, politikanët serb të veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të jenë të qetë dhe se udhëheqësit e tyre, së bashku me popullin, do të vendosin për veprimet e ardhshme.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse vendimi i tyre ka hyrë në fuqi. Disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës kanë kaluar sot pa ndonjë problem në vendkalimin kufitar, me letërnjoftime serbe.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, të premten ka deklaruar vendimin e autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se për këtë e kanë lajmëruar edhe Bashkimin Evropian.

Ajo, po ashtu ka thënë se pas shumë përpjekjeve në dialog që të ndërpritet shfrytëzimi i këtyre dokumenteve, ende ekzistojnë raste të tilla. Në dhjetor të vitit 2015, Kosova e kishte shfuqizuar një masë të tillë, në mënyrë që t’i krijojë mundësi bashkimit Evropian që ta zgjidhë këtë çështje. /Rel/

Temat
LajmeVend

Të afërta