Basha: Shqiptarët e Preshevës prioriteti im si kryeministër

Për liderin e opozitës Lulzim Basha, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ka bërë vetëm shfaqje sa i përket angazhimit të saj për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Bujanovc dhe Medvegjë.

“Qeveria e Shqipërisë duhet të angazhohet me vepra dhe jo me fjalë, me programe të financuara dhe jo me spektakle. Ky është pozicioni im si lider i opozitës sot dhe ky do të jetë prioriteti im si kryeministër nesër”, u shpreh Basha.

Këtë deklaratë Basha e dha gjatë një prononcimi për gazetarët, pas takimit që pati në Tiranë me kryetarin e Komunës së Preshevës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa.

 Kreu i Partisë Demokratike Basha vlerësoi Mustafën si një lidership politik të përkushtuar për ta bërë më të mirë jetën e qytetarëve të Preshëves përmes investimeve në interes të tyre, duke theksuar se shqiptarët e Luginës janë detyrim kushtetues e politik i PD-së.

“E kam garantuar për mbështetjen time të plotë dhe të Partisë Demokratike për realizimin e objektivave strategjike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme që Partia Demokratike do t’i japë sot dhe në të ardhmen programeve të ndryshme të mbështetjes, siç janë ato për studentët shqiptarë në Universitetin e Tiranës, por edhe në objektiva të tjera strategjikë për përmirësimin jo vetëm të cilësisë së jetës por edhe të pozitave dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në këtë kuadër tek z.Mustafa kemi patur, kemi dhe do të kemi një partner të besuar e të vyer të kauzës së drejtë të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha kryedemokrati Basha.

Nga ana tjetër, Mustafa vlerësoi faktin që Shqipëria i hapi dyert studentëve shqiptarë që vinin nga Lugina. Ai shprehu besim se lideri i opozitës Lulzim Basha do të lobojë në favor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Padyshim se kemi njoftuar edhe për probleme të tjera që takohen shqiptarët në sferën e papunësisë, duke u zotuar gjithmonë që do të vazhdojmë me ngritjen e kapaciteteve për një zhvillim industrial në Luginën e Preshevës në mënyrë që të kemi të rinjtë tanë aq të shkolluar. Një mundësi që tu ofrojmë vendet e reja të punës gjithmonë me investitorë potencial që mund të vijnë nga Europa Perëndimore. Për këtë sigurisht që kryetari Basha duke patur mundësinë e frekuentimit nëpër vendet e Europës Perëndimore do të lobojë për Luginën e Preshevës, do të lobojë për komunën e Preshevës në mënyrë që të jetë një shpërndarje e përgjegjësive proporcionale si për shqiptarët e Shqipërisë por edhe për Luginën Preshevës sepse është obligim kushtetues i Republikës së Shqipërisë”, tha Mustafa.

Temat
LajmeRajon

Të afërta