Avramopoulos i gatshëm të vizitojë Kosovën, për vizat

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka ripërsëritur edhe një herë se liberalizimi i vizave për kosovarët duhet të ndodhë këtë vit, dhe se më askush nuk ka përse...

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka ripërsëritur edhe një herë se liberalizimi i vizave për kosovarët duhet të ndodhë këtë vit, dhe se më askush nuk ka përse ta vonojë këtë proces.

Zyrtarë nga zyra e BE-së në Kosovë i kanë thënë Telegrafit se sapo të jenë përmbushur të gjitha standardet e mbetura, KE-ja do të propozojë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ashtu siç ka thënë Komisioni në dhjetor kur adoptoi raportin final për progresin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, sapo të jenë përmbushur të gjitha standardet e mbetura, Komisioni do të propozojë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Vlerësimi i tretë i Komisionit më 18 dhjetor 2015 i ka listuar tetë standardet të mbetura të cilat duhet të plotësohen, për të cilat qeveria ka punuar shumë për t’i adresuar ne muajt e parë të 2016-ës”, ka thënë për Telegrafin, Fatmire Terdevci zyrtare për informim në zyrën e BE-së.

 Ajo më tej ka theksuar se Komisioni Evropian tashmë i ka prezantuar Shteteve Anëtare, rezultatin e nxjerr nga misioni vlerësues teknik i cili ishte në Kosovë më 17-18 mars për të verifikuar përmbushjen e kritereve për viza.

“Një mision vlerësues teknik, i përbërë nga katër shtete anëtare dhe i udhëhequr nga Komisioni ka vizituar Kosovën më 17 -18 mars për të verifikuar progresin e saj në përmbushjen e këtyre standardeve. Komisioni u ka prezantuar rezultatin e këtij misioni Shteteve Anëtare më 14 prill (në kontekst të Grupit Punues për rajonin e Ballkanit perëndimor). Kjo i ofron Komisionit dhe Shteteve Anëtare një pasqyrë më të qartë të zhvillimeve të fundit dhe hapave të ardhshëm”, u shpreh Terdevci.

Duke folur për vizitën e komisionarit Dimitris Avramopoulos, ajo ka theksuar se komisionari është i gatshëm ta vizitojë Kosovën për të parë progresin në dialogun për viza dhe mezi pret të punojë me qeverinë për fazën e fundit të dialogut për viza. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta