Puthja “në mënyrën serbe”!

Para disa muajsh, në një takim rajonal të presidentëve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pasi e kishte puthur tri herë në faqe presidenten, homologu i saj serb, Tomisllav Nikolliq, ishte shprehur para gazetarëve se “preferon që ata të cilët nuk i njohin adetet serbe, me i puthë tri herë”. Pra, sipas adetit serb, duke shtuar se në këtë nuk sheh asgjë të keqe. Ai ishte përshëndetur njëjtë edhe me kryeministrin kroat. Nejse, mediat kroate dhe serbe patën përplasje rreth asaj se a e puthi Nikolliqi dy apo tri herë presidenten kroate? Në video duket qartë se ajo, pas “shkrepjes së dytë”, ishte larguar prapa duke pamundësuar që Nikolliqi të impononte mënyrën serbe në marrëdhëniet në mes dy vendeve, qoftë edhe përmes një përshëndetjeje (jo)protokollare?

Në të njëjtin takim, derisa presidentja e Kosovës në sallën ku mbahej takimi, duke ndjekur protokollin dhe duke u përshëndetur me homologët e tjerë rajonalë po i afrohej pashmangshëm presidentit të Serbisë, ai po bëhej qesharak në përpjekje për të shmangur përshëndetjen me të. Pas sjelljeve joserioze dhe deklaratave të tij të ashpra lidhur me statusin e Kosovës, përfundimisht po humbiste simpatitë e publikut, në një takim i cili mbase kishte premtuar më shumë.

Po ashtu, një vit më herët, në një takim të rregullt të KS-së për Kosovën në Nju Jork, presidentja e Kosovës i kishte zgjatur dorën, e para, presidentit Nikolliq, e ai e kishte shtrënguar miqësisht dorën e homologes së tij kosovare. Kjo padyshim kishte bërë që mediat ndërkombëtare të shprehnin një simpati për presidenten kosovare, e cila po reprezentonte politikën kosovare të pajtimit dhe si e tillë paraqiste fytyrën e re të Kosovës.

A ishte në fakt kjo fytyra e vërtetë e Kosovës? E kishte përmirësuar imazhin e Kosovës, ish-presidentja Jahjaga, si thonë shumë qytetarë të anketuar nga mediat ditëve të fundit në Kosovë të cilët ia njohin për meritë që së paku faktin se nuk ishte e korruptuar vetë? Shumë prej tyre mendojnë edhe të kundërtën, duke deklaruar se gjatë mandatit të saj nuk e kishte luftuar krimin as korrupsionin, e as nuk kishte bërë diçka të veçantë, duke thënë pak a shumë se ishte një presidente për përdorim të jashtëm.

Nëse të gjithë nuk pajtohen që imazhi i Kosovës në botë të jetë përmirësuar dukshëm gjatë mandatit të saj, madje shumica mendojnë se kjo nuk është arritur fare, të gjithë pajtohen se imazhi i Kosovës, 16 vjet pas ndërhyrjes së NATO dhe çlirimit të saj nga Serbia, është për faqe të zezë. Pra, ajo nuk e kishte aspak të lehtë! Shumica po ashtu pajtohen se meritor për këtë imazh të keq është pikërisht pasuesi i saj në krye të shtetit, pra presidenti i ri i vendit dhe “njerëzit e tij”.

Mediat botërore, por edhe në qarqet e politikës dhe biznesit, kryesisht mbizotëron ideja se Kosova është një vend i varfër, se nuk është stabilizuar ekonomikisht, nuk është vend demokratik, nuk funksionon shteti ligjor, porse është një vend ku krimi i organizuar dhe korrupsioni janë në pushtet dhe se fatkeqësisht as opozita nuk paraqet një alternativë të veçantë demokratike.

Gjatë kësaj periudhe z. Thaçi, ishte njeriu më i fuqishëm i politikës, qoftë derisa ishte në opozitë, apo edhe gjatë dy qeverive që i kryesoi ai. Edhe kur i humbte zgjedhjet, ai zakonisht jepte kryeqeveritarin. Edhe kur nuk përfshihej në Qeveri, e mbante peng atë. Pra, njeriu i cili disa ditë më parë u inaugurua në detyrën e presidentit të ri të vendit, i përcjellë me pakënaqësi të shumta të qytetarëve, me protesta masive, madje më masivet në historinë e re të Kosovës, si dhe akte të dhunshme nga militantët, por edhe nga shteti, ai kishte kontribuar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër në politikën e Kosovës që imazhi i keq i Kosovës të jetë pikërisht i tillë. Duke qenë njeriu më i fuqishëm i politikës këto gjashtëmbëdhjetë vite të pasluftës, roli i tij në ndërtimin e imazhit të keq të Kosovës, i cili në fakt pasqyron pak a shumë realisht gjendjen në vend, duhet të njihet si vendimtar.

Gjatë kësaj kohe, Kosova është shndërruar në një vend njëpartiak, ku shumëpartizmi është dekor dhe paraqet modalitete të së njëjtës politikë të instruktuar nga qendra informale e instaluar në institucionet më vitale të shtetit dhe në të gjitha levat e pushtetit. Gjatë kohës së qeverisjes Thaçi 1 dhe Thaçi 2, shteti është bërë biznesmeni kryesor në vend dhe buxheti është përdorur për të forcuar shtresën e re të biznesmenëve në politikë dhe politikanëve në biznes, të cilët shkelën mbi të gjitha bizneset “jopolitike” dhe të gjitha figurat të cilat nuk e shërbejnë këtë elitë të re. Shteti forconte vetëm bizneset që i nënshtroheshin grupit joformal që qeveriste dhe Qeverisë mbi dhe jashtë institucioneve. Kjo shkoi aq larg sa politika vuri kontroll të plotë mbi gjykatat, Policinë dhe të gjitha segmentet antikrim dhe antikorrupsion, duke shpërbërë dhe komprometuar çdo alternativë qysh në zanafillë. Madje, edhe opozitën – e cila në parim do të duhej të paraqiste alternativë ndryshe qeverisëse – kjo elitë politiko-financiare vendore dhe ndërkombëtare e kontrollonte plotësisht duke ngritur apo duke ulur intensitetin e “konfrontimeve”, qoftë në shoqëri apo institucione, sidomos në Parlament sipas nevojës. Kur iu dashtë, ajo edhe u shpërbë.

Kështu, presidenti i ri mori shumë pak urime qoftë pas votimit në Parlament apo pas inaugurimit të tij në krye të shtetit, çka u pa edhe në promovimin e tij në sheshin “Skënderbeu” me prezencën shumë të pakët të homologëve të tij. Ka analistë që mendojnë se zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit ishte largim i tij nga politika, duke e lënë në krye vetëm si garanci për interesa (in)formale rajonale dhe vendore, si kërcënim me gjendje të jashtëzakonshme nëse ato rrezikohen apo nëse kërcënohen me procedura gjyqësore antikorruptive kundër tyre, ndërkohë që flitet për kursin e mundshëm të ri të kreut të ri të PDK-së. Gjithsesi kjo pritet të shihet shumë shpejt.

Sidoqoftë, nga ky inaugurim doli edhe një e mirë. U la për herë të parë me sapun edhe vetë kryetrimi Gjergj Kastrioti, me gjithë kalë, për të kontribuar edhe ai për imazhin e ri të Kosovës, ndërkohë presidenti i ri po promovohej në një ngjarje të cilën dikush nga opozita e kishte quajtur me përkëdhelje “Cirku i Hashimit”.

Në fund fare, presidenti i ri, nëse nuk është personi i cili do ta përmirësojë imazhin e rrënuar të Kosovës, të rrënuar nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij, ai së paku do të jetë imazhi i vërtetë i Kosovës, do të japë pasqyrë reale për gjendjen në vendin tonë ku jo vetëm pozita dhe opozita, por edhe mediat dhe shoqëria civile është kontrolluar prej tij, duke futur dhe duke nxjerrë nga politika pjesëtarët e saj si magjistari që i nxjerr dhe fut lepujt në kapelën e tij.

A do të qeverisë edhe nga Presidenca, presidenti i ri, përkundër kompetencave shumë të pakta formale, duke përdorur kështu fuqinë e tij informale vendore dhe ndërkombëtare, mbetet të shihet.

Sidoqoftë, analistë vendorë dhe ndërkombëtarë duket se pajtohen se vetëm dalja e tij nga politika mundëson që proceset e vërteta të dekriminalizimit dhe demokratizimit në vend të fillojnë…! Mënyra që Perëndimi zgjodhi për ta larguar atë me sa më pak pasoja për vendin, ishte avancimi i tij në një post formal dhe pa shumë kompetenca. E patë se ai nuk heziton me e djegë vendin për pushtet, thonë ata! E pamë!

Pra, puna e imazhit po dihet, tashmë. Ka disa dilema edhe rreth Gjykatës Speciale, por kureshtja më e madhe mbetet për atë se si do të përshëndetet presidenti serb Nikolliq me homologun e tij në përpjekjet ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi?! Me dorë apo “në mënyrën serbe”?!

Temat
Opinione

Të afërta