Prezantohet HTC 10

HTC ka prezantuar telefonin e tij më të ri inteligjent, të quajtur HTC 10.

Pajisja e gjigantit teknologjik tajvanez vjen si pasuese e modelit M9 të vitit të kaluar, dhe kombinon dizajnin e telefonave të serisë M me dizajnin e modelit A9 që ka dalë në vjeshtën e kaluar, raporton The Verge.

HTC thotë se i janë dashur 12 muaj për të dizajnuar këtë telefon, dhe ka marrë në konsideratë edhe mendimet e konsumatorëve gjatë procesit të krijimit të tij, transmeton Gazeta Express.

HTC 10 vjen me një ekran 5.2-inçësh quad HD Super LCD 5, që HTC thotë se paraqet 30 për qind më shumë ngjyra se modeli paraardhës, me xhamin mbrojtës Gorilla Glass.

Telefoni fuqizohet nga një procesor Qualcomm Snapdragon 820, dhe vjen me 4GB RAM dhe 32GB hapësirë të brendshme, e cila mund të zgjerohet nëpërmjet kartës MicroSD.

Pajisja ka një bateri prej 3.000 mAh, e cila mbështet teknologjinë për mbushje të shpejtë Quick Charge 3.0, nëpërmjet portit USB Type-C.

Telefoni përmban një kamerë të pasme prej 12 megapiksellësh me blic të dyfishtë LED, që mund të xhirojë video në rezolucion 4K, dhe një kamerë të përparme për selfie prej 5 megapiksellësh.

Telefoni do të dalë në shitje muajin e ardhshëm me çmim prej 699 dollarësh amerikanë. /Express/

Temat
Teknologji

Të afërta