Përfundon pjesa e rregullt e basketbollit

Ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Pejës llogaritet si më interesantja në xhiron e fundit të pjesës së rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll.

Kjo ndeshje, që i takon xhiros së 28-të, do të zhvillohet të shtunën (sot) në Mitrovicë dhe do të nisë në orën 18:00. Peja i prin tabelës me 45 pikë dhe në garat e plejofit do të futet si kampione e pjesës së rregullt, derisa Trepça është e katërta me 32 pikë.

Pikërisht këto dy skuadra do të përballen edhe në gjysmëfinalen e plejofit që pritet të filloj prej fundjavës së ardhshme.

Ndërsa, në duelin tjetër gjysmëfinal të plejofit do të takohen Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Të shtunën (sot) do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera.

 Skuadra e Bashkimit e pret në shtëpi Vëllaznimin, derisa Golden Eagle Ylli përballet me Sigal Prishtinën.

Të dy këto ndeshje do të nisin në orën 19:00 derisa Kerasan Prishtina pushon këtë xhiro.

Në konkurrencën e femrave do të nisë plejofi. Në gjysmëfinale do të takohen Penza – Bashkimi (19:30) dhe Prishtina – Trepça (20:00). Të dy ndeshjet luhen të dielën, në Pejë, përkatësisht Prishtinë.

Temat
SportVend

Të afërta