Kosova shkel të Drejtat e Njeriut

Shteti amerikan e cilësoi shtetin e Kosovës si shkelës të të drejtave të njeriut. I dha goditje të hatashme qeverisjes me të gjitha hallkat e saj, e cila papranueshëm i reagoi ashpër qeverisë amerikane duke i kërkuar “fakte”, si dhe opozitës për sjelljen joinstitucionale, fatmirësisht tashmë të tejkaluar nga pjesa më e madhe e saj.

Kërkesa themelore e shtetasit për shtetin është mbrojtja dhe promovimi i të Drejtave të Njeriut. Përpos rasteve specifike të çështjeve të sigurisë kombëtare, nuk ka asgjë që mund të privojë shtetasit nga të drejtat dhe liritë themelore të tij/saj.

Por, këtu po dështon shteti i Kosovës: po i shkel të drejtat e njeriut.

Në aspektin normativ, ne jemi në rregull. Në aspektin praktik, ne jemi shkelës të bazamentit të demokracisë.

Kushtetuta garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Politikat e sigurisë së Kosovës kanë vizion dhe qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ligjet sanksionojnë domosodshmërinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Por, kështu tek ne nuk po ndodh!

Në të vërtetë, thelbi i demokracisë liberale është tek të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo. Përpos rasteve specifike të çështjeve të sigurisë kombëtare, madje edhe atëherë me qartësi tejet përmbajtjesore, nuk guxon (nuk duhet të guxojë) askush të shkel mbi çështjet elementare dhe të patjetërsueshme.

Sërish, kjo tek ne nuk po ndodh!

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut, i publikuar më 13 prill 2016, vendos në tavolinë një temë që ne, fatkeqësisht, nuk po arrijmë as ta kuptojmë, se lëre më ta jetësojmë: përgjegjësinë e shtetit për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarit!

Shteti amerikan e cilësoi shtetin e Kosovës si shkelës të të drejtave të njeriut.

Kjo nuk është pak. Në fakt, kjo është një prej kritikave më serioze dhe më të rënda që Kosova merr!

Qeveria amerikane i dha goditje të hatashme qeverisjes me të gjitha hallkat e saj, si dhe opozitës për sjelljen (fatmirësisht të tejkaluar!) joinstitucionale.

Por, problemi mbetet sërish tek mënyra e të lexuarit të raportit, përkatësisht mënyra e të interpretuarit të raportit.

Derisa opozita, më saktësisht pjesa më e madhe e opozitës (anipse jo e tëra), ka reflektuar mbi sjelljet e gabueshme dhe të padobishme, duke ndryshuar metodat e veprimit në Kuvend, problemi (çudia!) mbetet tek qeveria, si tek diskursi publik, po ashtu edhe mënyra e veprimit të saj.

Qeveria tha se “korrupsioni është perceptim dhe kushdo që shkruan këso raportesh le të sjellë fakte!”.

Pra, kjo mund të përkthehet edhe kështu:

“Qeveria e Kosovës i reagon Qeverisë amerikane: Mos folni paushall, sjellni fakte!”.

Kjo i bie që shteti i Kosovës nuk i beson shtetit amerikan. Kërkon ndihmën amerikane, por nuk i beson vlerësimeve apo raporteve amerikane.

Nuk është në rregull një sjellje e tillë. Nuk është as politikisht-korrekte dhe as e pranueshme.

Normalisht, nëse vërtetë duam ta konsolidojmë demokracinë liberale, e tëra që do të duhej të thoshte secili në Kosovës do të mund të përmbledhej kështu disi:

“Kemi shumë probleme, por vërtetë duam t’i përmirësojmë. Po na ndihmoni t’i identifikojmë problemet, na ndihmoni edhe t’i kalojmë ato!”.

Temat
Opinione

Të afërta